Franca vendos orar të ri policor, çfarë do të ndodhë pas 15 dhjetorit
Prej 15 dhjetorit Franca do të vendosë orarin e ri policor që do të nisë prej orës 20:00 deri më 06:00, për të frenuar përhapjen e koronavirusit tek popullata.
Kryeministri Jean Castex tha se normat e infektimit nuk janë duke rënë me ritmin që ka shpresuar qeveria, pas vendosjes së masave të izolimit në fund të tetorit.
Urdhri për qëndrim në shtëpi do të hiqet më 15 dhjetor, kur edhe do të nisë ora policore nga ora 20:00 deri në 06:00.
Masa nuk do të hiqet për Vitin e Ri, për të parandaluar tubimet e mëdha.
Qeveria e ka kushtëzuar lehtësimin e masave me rënien e numrit të të infektuarve në rreth 5,000 në ditë.
Por, ky numër ka qenë shumë më i lartë se 10,000 të enjten e 10 dhjetorit , përkatësisht 13,750.
“Nuk jemi ende në fund të kësaj vale të dytë dhe nuk do t’i arrijmë objektivat e vëna për 15 dhjetor”, tha kryeministri Castex në një konferencë për media.
“Duhet të mbetemi të përqendruar dhe ta gjejmë rrugën gjatë javëve të ardhshme”, tha ai.
Muzetë, kinematë, teatrot dhe vendet sportive, që pritej të rihapeshin të martën, do të qëndrojnë të mbyllura edhe për tri javë.