Franca zbut masat anticovid për muajin dhjetor

Nga Mentor Hoxha (Paris)
Gjatë një fjalimi nga Pallati Elize në ora 20.00 të mbrëmjes së sotme, Presidenti francez, Emmanuel Macron paraqiti strategjinë e ekzekutivit përballë pandemisë Covid-19 për muajt në vijim. Kreu i shtetit specifikoi protokollin e ri që do të jetë në fuqi deri në fund të këtij viti, duke pasur parasysh situatën e përmirësuar shëndetësore. Ai deklaroi se do të “bëjë gjithçka për të shmangur një valë të tretë” të epidemisë Covid-19 dhe për të shmangur një izolim të tretë. “Kulmi i valës së dytë të epidemisë ka kaluar… Përpjekjet tona, përpjekjet tuaja kanë dhënë rezultat”, -tha kreu i shtetit. Ai njoftoi një lehtësim të masave të izolimit nga dita e shtunë, më 28 nëntor. Udhëtimi për shëtitje dhe aktivitete sportive do të autorizohet brenda një rrezeje prej 20 kilometrash. Vendet e adhurimit dhe bizneset e vogla do të rihapen. Nga 15 dhjetori, kinematë, teatrot dhe muzetë do të hapen me radhë. Por një shtetrrethim do të jetë nga ora 21:00 deri në orën 7 të mëngjesit. Baret dhe restorantet, nga ana tjetër, do të qëndrojnë të mbyllura për momentin. Një fazë e re mund të zhvillohet pas festave të fundvitit. Ai tha se rreth 20 janarit, mund të merren vendime të mëtejshme hapëse, nëse është e mundur. “Ne kemi ngadalësuar qarkullimin e virusit, por ai mbetet shumë i pranishëm në Francë”.
Bizneset dhe dyqanet e shitjes me pakicë në Francë, janë ndër bizneset më të goditura nga masat e ashpra anticovid dhe një zgjatje e masave kufizuese ndaj tyre do t’i dëmtonte akoma më shumë, jo vetëm ata, por mbarë ekonominë franceze dhe botërore. Presidenti, Macron vendosi t’i lehtësojë masat anticovid për Krishtilindje për disa biznese që lidhen me tregtinë, hotelerinë dhe turizmin. Ai njoftoi heqjen e pjesshme të masës së mbylljes kombëtare dhe rihapjen e dyqaneve që shesin produkte joesenciale, siç janë rrobat, këpucët dhe gjëra të tjera të ngjashme me to, të cilat qëndrojnë të mbyllura që nga data 30 tetor, përshkak të masave të ndërmarra nga Qeveria franceze për frenimin e pandemisë.
Vala e dytë e virusit COVID-19, ka patur një shtrirje të madhe në Francë, veçanërisht në qytetet më të mëdha të saj, si Parisi, Marseja dhe Lioni. Numri i vdekjeve nga Covid-19, kap shifrën prej 50,237 vdekjesh në spitale dhe institucione mjekësore-sociale, njoftoi Ministria e Shëndetit Publik në Francë. 34,399 vdekje kanë ndodhur në spitale, përfshirë 458 në njëzet e katër orët e fundit.

SHKARKO APP