Francë, edhe balerinët në protestë
Trupa e balerinëve dhe muzikantëve të orkestrës simfonike të Parisit doli po ashtu në protestën kundër reformës së pensioneve. Atyre pritet t’u mohohet regjimi special i pensioneve, njësoj si edhe mësuesve, stafit shëndetësor dhe nëpunësve të administratës të cilët janë në grevë prej tri javësh.
Francezët e zhvendosën protestën për reformën e re të pensioneve para pallatit të operës “Garnie”.
Qindra qytetarë u mblodhën për performancën e balerinave dhe muzikantëve të orkestrës simfonike të Parisit.
Prej 5 dhjetorit ata ndodhen në grevë dhe kanë anuluar çdo shfaqje për këtë sezon festiv, duke mos u pajtuar me planet e qeverisë për t’u mohuar regjimin special dhe daljen e hershme në pension në moshën 42-vjeçare.
Me lëvizjen është sensibilizuar edhe kërcimtarja e re, Heloise Jocqueviel, e cila shprehet se largimi nga profesioni në moshë më të madhe është fizikisht e pamundur.
“Ne e fillojmë kërcimin klasik që 8 vjeçe. Në këtë sport të nivelit të lartë fillojmë trajtimet për lëndime sapo nisim jetën profesionale. Kur arrijmë moshën 42-vjeçare vuajmë nga artriti i hershëm, frakturat, herniet, operacionet e shumta, në disa raste edhe zëvendësim të ijëve, ndaj që të ruajmë shkëlqimin deri 64 vjeçe na duket thjesht e pamundur.”
Teatri i operës dhe i baletit në kryeqytetin francez mësohet të ketë humbur gati 8 milionë euro bileta në këto festa të fundvitit, bilanc i cili u shtohet miliona euro humbjeve të tjera të shkaktuara nga kaosi i grevës së transportit publik.
Presidenti francez Emanuel Makron ka deklaruar se sistemi i ri i pensioneve që ka propozuar është më i drejtë pasi i trajton barabar kontributet e çdo profesionisti.
Ndërsa palët nuk po lëshojnë nga qëndrimet përkatëse, bisedimet mes qeverisë dhe sindikatave pritet të nisin sërish në fillimin e janarit.