Francë: Gjyqtarë dhe avokatë në protestë, hedhin në shesh togat e zeza
Avokatë dhe gjyqtarë në Francë e shpërfaqën të enjten revoltën e tyre ndaj reformës së pensioneve duke hedhur në shesh togat e tyre të zeza. Gjesti simbolik u mbajt ndërsa ministrja franceze e Drejtësisë, Nicole Belloubet, kishte ardhur të inauguronte në qytetin veriperëndimor të Caen-it nismën për unifikimin e instancave të ulëta dhe më të larta të drejtësisë në një gjykatë të vetme, reformë e cila gjithashtu është kundërshtuar.
“Duam një përgjigje. Ajo që na është thënë deri tani është se na duhet të japim një të tretën e rrogës tonë. Por nuk gjen një francez të vetëm në vend që do të japë një të tretën e rrogës së vet për të marrë në fund një pension 1000 euro. Më vjen keq ta them por kjo është e turpshme,” deklaron një pjesëtare e stafit lokal të drejtësisë.”
Kolegët e saj janë në grevë njëjavore prej datës 6 janar dhe kanë kërcënuar se mund ta zgjatin.
Njësoj si doktorët dhe profesionet e tjera, rreth 700 mijë avokatë francezë por dhe gjyqtarët e quajnë të padrejtë sistemin unik të pensioneve të propozuar nga qeveria e presidentit Emanuel Makron.
Kontributet që ata derdhin gjatë viteve mblidhen në një sistem të pavarur pensionesh që i sigurojnë atij të përgjithshmit deri 90 milionë euro përvit.
Anembanë Francës, greva kundër reformës së pensioneve hyri të premten në ditën e 37-të, ndërsa seancat e kompromisit mes sindikatave dhe qeverisë ende nuk kanë prodhuar rezultat.