Francezët paralajmërojnë Mbretërinë e Bashkuar para votimit për marrëveshjen tregtare Brexit

Parlamenti Evropian pritet të ratifikojë marrëveshjen tregtare pas Brexit mes Bashkimit Europian dhe Mbretërisë së Bashkuar, mes tensioneve duke përfshirë edhe një kërcënim francez për hakmarrje kundër Mbretërisë së Bashkuar.

Marrëveshja e Tregtisë dhe Bashkëpunimit (TCA) ka funksionuar përkohësisht që nga janari dhe pritet të ratifikohet sot nga eurodeputetët.

Ministri francez i Evropës Clément Beaune akuzoi Britaninë e Madhe për bllokimin e të drejtave të peshkimit. Ai tha se BE mund të përgjigjet me “hakmarrje” në shërbimet financiare.

TCA mbulon tregtinë e mallrave nga BE-MB.

Kjo do të thotë që mallrat, por jo shërbimet, mund të tregtohen pa tarifa ose kuota. Ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar dominohet nga shërbimet.

Ka tensione lidhur me vendimin e njëanshëm të Mbretërisë së Bashkuar për të lehtësuar rregullat e tregtisë për Irlandën e Veriut.

Nën një protokoll të veçantë, Irlanda e Veriut mbetet de facto pjesë e tregut të vetëm të BE-së, kështu që mallrat që mbërrijnë atje nga Britania duhet t’i nënshtrohen kontrolleve të BE-së.

Ministri francez i Evropës, Clément Beaune kërcënoi me hakmarrje në sektorë si shërbimet financiare, nëse Mbretëria e Bashkuar nuk arrin të zbatojë marrëveshjet për peshkimin plotësisht.

Mbretëria e Bashkuar i bëri të drejtat e peshkimit një çështje kryesore në negociata, me kontrollin mbi hyrjen në ujërat e saj të parë si një shenjë e sovranitetit britanik.

Peshkatarët francezë janë ankuar se nuk mund të veprojnë në ujërat britanike për shkak të vështirësive në marrjen e licencave.

SHKARKO APP