Francezët pyesin se si do të marrë fund pandemia
Franca duhet të vendosë në zbatim një izolim të ri kombëtar. Deklarata vjen nga kreu i njësisë së emergjencave në një spital të Parisit, që thekson se sa më shumë të vonohet aq më i lartë do të jetë bilanci i jetëve të humbura.
Qeveria franceze thotë se izolimi kombëtar nuk është në agjendë dhe për momentin po shqyrtohet karantinimi i 20 zonave që konsiderohen shqetësuese, përfshirë Parisin. ”Nëse do të mendonim se ajo masë duhej vendosur menjëherë, natyrisht që do ta ndërmerrnim. Ç’është më e rëndësishmja, ato masa duhet të korrespondojnë me realitetin në çdo zonë dhe duhet të zbatohen pas konsultimeve me zyrtarët lokalë”, tha zëdhënësi i qeverisë, Gabriel Attal.
Por kryeqytetasit janë me mendime të kundërta lidhur me izolimin e ri kombëtar. Të lodhur nga kjo emergjencë shëndetësore, parizienët kërkojnë të dijnë se kur dhe si do të marrë fund kjo pandemi. ”Persona të shumtë nuk respektojnë masat e sigurisë. Dëshirojnë të festojnë dhe të jetojnë jetët e tyre, gjë e cila është normale. Edhe ne e duam këtë, por me mbërritjen e varianteve të reja, mendoj se izolimi i ri është i nevojshëm”, shprehet një banor i Parisit.
”Jeta është vetëm shko në punë dhe kthehu në shtëpi për gjumë. Nuk kemi fundjava, nuk shohim dot prindërit dhe as dalim për Pazar. Nuk e di se si do të përfundojë kjo”,-tha Florence Gesbac, punonjëse e prefekturës së Parisit.