Frika e koronavirusit, ja shtetet që po kufizojnë lëvizjet me Italinë
Situata epidemike me koronavirusin e ri në Itali është përhapur shpejt në disa shtete të botës, të cilat tani po sugjerojnë të shmangen udhëtimet drejt epiqendrës europiane të infeksionit.
Deri më tani shtete si Australia, SHBA, Serbia, Israele, Kroacia, Turqia, India, Britania e Madhe, Franca. Hollanda, Spanja këshillojnë qytetarët e tyre të mos udhëtojnë në zonat e rajoneve të infektuara në Itali. Izraeli në SHBA, Franca, Spanja, Greqia, Serbia e Sllovenia kanë nisur të vendosin në karantinë dyjavore çdo udhëtar me destinacion të fundit Italinë.
Në shtetin mesdhetar janë shënuar mbi 12 viktima ndërsa numri i të infektuarve nga fundjava e kaluar është rritur progresivisht mbi 370, kryesisht në rajonet veriore të Lombardisë dhe Venetos deri në jug, në Siçili.
Çifte dhe shtetas të huaj që kanë udhëtuar nga Italia në javët e fundit raportohet se e kanë bartur koronavirusin edhe në vendlindjet e tyre, me raste të reja të njoftuara në Austri, Zvicër, Kroaci, Spanjë, Francë, Gjermani, Greqi madje edhe në Brazil.
Pas një takimi me homologët europianë dhe ekspertët e OBSH-së, Roberto Speranca, ministri italian i Shëndetësisë, deklaroi se megjithatë asnjë nga shtetet fqinje nuk do të marrë masën drastike për të mbyllur kufijtë me vendin.
“Nuk kanë për të ndryshuar kushtet e udhëtimit të italianëve jashtë vendit. Vendet që na kufizojnë janë të mendimit se bllokimi i kufijve do të ishte një masë e gabuar dhe disproporcionale,” informoi ministri Speranca.
Italia është një nga tre vendet më të prekura në botë nga koronavirusi i ri, por raste të reja po shtohen edhe në Lindjen e Mesme, veçanërisht në Iran ku mbi 15 veta kanë vdekur e mbi 100 janë infektuar, përfshirë vetë ministrin e shëndetësisë.
Në vendet aziatike, Koreja e Jugut gjithashtu ka raportuar mbi 1,100 mijë të infektuar ndërsa bilanci tragjik në Kinë është rritur mbi 2,700 të vdekur.
“Rreziku për publikun e gjerë amerikan tani është i ulët, por kjo epidemi ka potencialit të përhapet me shpejtësi edhe te ne,” deklaruan të martën autoritetet e Uashingtonit, ku deri tani janë raportuar mbi 50 raste.