Frikë dhe panik në Turqi, lëkundje e fortë tërmeti në afërsi të Stambollit
Një tërmet ka tronditur pasditen e sotme Turqinë.
Sipas EMSC, tërmeti me magnitudë 4.8 sipas shkallës Rihter u regjitrua 63 kilometra në perëndim të Stambollit, rreth orës 16:37 me kohën lokale.
Vatra e tërmetit ka qenë në thellësinë 16 kilometra.
Banorët e shqetësuar kanë raportuar se lëkundjet kanë tronditur ndërtesat dhe janë ndjerë shumë. Kjo gjë dëshmohet edhe nga komentet e shumta që janë bërë në EMSC, ku janë mbi 900 të tillë.
Deri më tani nuk ka raportime për dëme materiale apo në njerëz.
Turqia njihet si një prej vendeve më sizmike në botë, për shkak të pozitës së saj gjeografike ndërmjet pllakës euro-aziatike.
Muajt e fundit janë regjistruar një sërë goditjesh tërmeti në Turqi, duke krijuar frikë dhe panik tek qytetarët.
Tërmeti më i fortë i muajve të fundit në Turqi ishte ai i shtatorit të vitit të kaluar, me magnitudë 5.8.
Një nga tërmetet më të fuqishëm të dekadave të fundit që ka goditur Turqinë në vitet e fundit, ishte ai i 1999 me magnitudë 7.5, ku humbën jetën më shumë se 17 mijë persona, mbetën të plagosur 100 mijë të tjerë.
Gjithashtu nga ky tërmet i fuqishëm u shkatërruan 130 mijë ndërtesa dhe mbetën pa strehim rreth 600 mijë njerëz.
Pas tërmetit shkatërrimtar që goditi Turqinë, u arrestuan 279 zyrtarë, ndërtues dhe urbanistë.