Fundi tragjik me nëndetësen ”Titan”, kompania i shpall të pajetë 5 turistët
Roja Bregdetare Amerikane njoftoi të enjten se të pesë personat që ishin në bordin nëndetëses Titan kishin humbur jetën.
Njoftimi nga Roja Bregdetare u parapri nga një deklaratë e kompanisë amerikane ‘OceanGate Expeditions’, që kishte prodhuar nëndetësen, e cila shprehu keqardhjen për vdekjen e 5 personave, në bordin e Titanit. “Mendimet tona shkojnë tek ata dhe familjet e tyre”, thuhej në deklaratën e kompanisë.
“Një robot pa drejtim i lëshuar nga një anije kanadeze zbuloi mbetjet e nëndetëses mëngjesin e kësaj të enjte rreth 488 metra larg Titanikut në rreth 2 milje (4 kilometra) thellësi”, tha admirali Rojes Bregdetare Amerikane, John Mauger në një konferencë për shtyp.
“Copat e metalit të nëndetëses dëshmojnë për humbje katastrofike oksigjeni në dhomën e presionit të nëndetëses”, tha ai.
Roja Bregdetare tha se do të vazhdonte kërkimet në zonën ku u gjetën mbetjet e nëndetësdes. Në bordin e nëndetëses ndodhej eksploruesi francez Paul-Henri Nargeolet, një ish oficer i marinës Stockton Rush, themelues dhe shef ekzekutiv i kompanisë ‘OceanGate Expeditions’, miliarderi britanik Hamish Harding si dhe një biznesmen me origjinë pakistaneze Shahzada Daëood dhe djali i tij 19-vjeçar Suleman Daëood. Udhëtimi për të parë mbetjet e Titanikut, kushtonte 250 mijë dollarë për person.
Nëndetësja Titan, e cila operohet nga kompania private amerikane “OceanGate Expeditions”, u zhyt të dielën në orën 8 të mëngjesit në afërsi të brigjeve kanadeze. Ajo humbi kontaktin me anijen që e shoqëronte, në përfundim të asaj që duhej të kishte qenë një zhytje dy-orëshe në pjesën veriore të oqeanit Atlantik, për të parë rrënojatt e Titanikut, që u fundos në vitin 1912.
Sipas kompanisë, nëndetësja kishte 96 orë oksigjen, që ka të ngjarë të ketë mbaruar këtë të enjte.
Një fund tragjik. Kompania turistike OceanGate Expeditions tha se beson se pesë pasagjerët në bordin e nëndetëses “Titan” kanë humbur jetën. Me kalimin e orëve shpresat për gjetjen e tyre janë shuar pothuajse totalisht, duke u shprehur ngushëllimet familjeve.
“Ne tani besojmë se CEO ynë Stockton Rush, Shahzada Dawood dhe djali i tij Suleman Dawood, Hamish Harding dhe Paul-Henri Nargeolet, kanë humbur fatkeqësisht. Këta njerëz ishin eksplorues të vërtetë që ndanin një frymë të veçantë aventure dhe një pasion të thellë për të eksploruar dhe mbrojtur oqeanet e botës. Zemrat tona janë me këta pesë shpirtra dhe çdo pjesëtar të familjeve të tyre”, thuhet në deklaratë.
Kompania ka falënderuar të gjithë punonjësit që kontribuuan në operacionin për gjetjen e tyre, ndonëse pa sukses. Mesditën e sotme janë gjetur mbetje, ku është vlerësuar se i përkasin nëndetëses “Titan”.