Fundjava e dytë e protestave në Rusi, policia nis me arrestimet masive
Qindra vetë u arrestuan në mbarë Rusinë që në nisje të fundjavës së dytë të tubimeve pro udhëheqësit të burgosur të opozitës Alexei Navalny. Në Moskë policia mbylli stacionet e metrosë dhe kufizoi lëvizjen në qendër të qytetit. Njëzet vetë u arrestuan që të shtunën, raporton agjencia Reuters.
Navalny u burgos pas kthimit në Rusi nga Gjermania, ku u trajtua për helmimin nga agjenti nervor novichok. Ai akuzohet tani nga drejtësia për mosrespektim të dënimit me kusht.
Tubimet në mbështetje të Z. Navalny filluan në lindje të Rusisë, pavarësisht paralajmërimeve të policisë kundër tyre.
Në qytetin siberian Novosibirsk, të paktën 2,000 vetë marshuan duke brohoritur “Liri” dhe “Putini është një hajdut”. Protesta pati edhe në Yakutsk, pavarësisht se temperaturat ranë në -40C.
Vetë Navalny e ka denoncuar ndalimin e tij si “haptazi të paligjshëm”, duke thënë se autoritetet e dinin se ai po trajtohej në Berlin për helmimin nga Novichok.
Aktivisti 44-vjeçar po mbahet në një qendër paraburgimi në Moskë dhe rrezikon të dënohet sërish me burg për disa çështje të ndryshme penale, pavarësisht thirrjeve nga qeveritë perëndimore për lirimin e tij. Mbi katër mijë vetë u ndaluan fundjavën e kaluar gjatë protestave mbarë popullore për lirimin e Navalnyt.