Fushata zgjedhore, “Twitter” vendos kufizime për zgjedhjet, ja çfarë paralajmëron

Kompania Twitter Inc. tha të premten se do të heqë mesazhet që u bëjnë thirrje njerëzve të ndërhyjnë në procesin e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara ose zbatimin e rezultateve të zgjedhjeve, përfshirë përmes dhunës, pasi kompania gjithashtu njoftoi më shumë kufizime për të ngadalësuar përhapjen e keqinformimit.

Twitter tha në një postim në një blog se, nga java e ardhshme, përdoruesit do të marrin një njoftim të menjëhershëm duke i drejtuar ata drejt informacionit të besueshëm para se të mund të rishpërndajnë përmbajtjen që është etiketuar si false.

Kompania tha se do të shtonte më shumë paralajmërime dhe kufizime për postimet me etiketimin për informacion të pasaktë nga figurat politike amerikane, kandidatët dhe fushatat, si dhe llogaritë me bazë në Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë më shumë se 100’000 ndjekës, ose që kanë një numër të konsiderueshëm aktiviteti në llogaritë e tyre.

Kompania Twitter, e cila kohët e fundit i tha agjencisë së lajmeve Reuters se ishte duke provuar se si ta bënte etiketimin e saj më të qartë dhe të drejtpërdrejtë, tha se njerëzit do të duhet të klikojnë disa paralajmërime për t’i parë këto mesazhe. Përdoruesit gjithashtu do të kenë ndërveprim të kufizuar me këtë përmbajtje, pasi pëlqimet, retweets dhe përgjigjet do të çaktivizohen.

Twitter thotë se ka etiketuar mijëra postime mashtruese, megjithëse vëmendja më e madhe ka qenë në etiketimin e mesazheve nga Presidenti Donald Trump. Twitter gjithashtu tha se do të etiketojë mesazhet që pretendojnë në mënyrë të gabuar një fitore për cilindo kandidat.

Kompania njoftoi disa hapa të përkohshëm për të ngadalësuar amplifikimin e postimeve: për shembull, nga 20 tetor deri të paktën në fund të javës së zgjedhjeve në SHBA, përdoruesit nga mbarë globi që shtypin “retweet” do të drejtohen së pari te butoni “komentoni mesazhin” për të inkurajuar njerëzit që të shtojnë komentin e tyre.

Kompania gjithashtu nuk do të lejojë shfaqjen e temave më popullore (trending) pa një kontekst shoqërues dhe do ta bëjë të pamundur që njerëzit të shohin në faqen e tyre rekomandime për postime që “janë pëlqyera nga” njerëz të panjohur për ta.

Vendimi i kompanisë Twitter për të ulur nivelin e rekomandimeve të automatizuara, bie në kontrast me qasjen në kompaninë Facebook Inc., që po rrit promovimin e produkteve të saj në kategorinë e grupeve, pavarësisht shqetësimeve rreth ekstremizmit në ato hapësira.

Kompanitë e mediave sociale gjenden nën presion për të luftuar dizinformimin në lidhje me zgjedhjet dhe për t’u përgatitur për mundësinë e dhunës ose frikësimit në vendin e votimit gjatë zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Agjencia e lajmeve Reuters ka raportuar se republikanët po mobilizojnë mijëra vullnetarë për të vëzhguar qendrat e votimit të hershëm dhe kutitë e hedhjes së votave për të gjetur prova në mbështetje të ankesave të pabazuara të Presidentit Trump për një manipulim të përhapur zgjedhor.

Të mërkurën, Facebook tha se do të ndalonte thirrjet për vëzhgimin e vendvotimeve që përdorin “gjuhë të militarizuar”./VOA/

SHKARKO APP