G20, SHBA dhe Kina pezullojnë për 90 ditë tarifat e reja tregtare
Presidenti i SHBA, Donald Trump, dhe homologu i tij kinez Xi Jinping kanë rënë dakord të ndalojnë tarifat e reja tregtare për 90 ditë në funksion të dialogut mes palëve, thotë SHBA.
Liderët e dy shteteve u takuan në Buenos Aires pas samitit të G20, bisedimet e para këto që nga shpërthimi i një lufte tregtare këtë vit.
Kina thotë se ata ranë dakord të mos vendosin ndonjë tarifë të re tregtare pas 1 janarit.
Të shtunën, udhëheqësit e G20 ranë dakord për një deklaratë të përbashkët që vë në dukje ndarjet mbi tregtinë, por nuk kritikon proteksionizmin.
Përpara G20, Trump kishte thënë për mediat amerikane që ai priste të shkonte përpara me planet për të rritur tarifat rreth 25% në 200 miliardë dollarë mallra kinezë.
Shtëpia e Bardhë thotë se ky veprim tani është pezulluar për 90 ditë, por shton: “Nëse në fund të kësaj periudhe, palët nuk janë në gjendje të arrijnë një marrëveshje, nga 10 përqind tarifat do të rriten në 25 përqind”.
Në këmbim, shton Shtëpia e Bardhë, Kina ra dakord të blejë një sasi të papërcaktuar por “shumë të konsiderueshme” të produkteve bujqësore, të energjisë, industriale dhe të tjera.
Televizioni shtetëror kinez më herët tha: “Nuk do të vendosen tarifa shtesë pas 1 janarit dhe negociatat mes dy palëve do të vazhdojnë”.
Të dyja palët kanë vendosur tarifa për mallra me vlerë miliarda dollarë. SHBA ka goditur 250 miliardë dollarë mallra kinezë me tarifa që nga korriku dhe Kina është kundërpërgjigjur duke imponuar detyrime për mbi 110 miliardë dollarë të produkteve amerikane.
Trump kishte thënë gjithashtu se nëse bisedimet në Argjentinë nuk do të ishin të suksesshme, ai do të godiste 267 miliardë dollarë të mbetura të eksporteve kineze në SHBA me tarifa prej 10-25%.
Ndarjet tregtare të SHBA-Kinës u shpalosën në një samit ekonomik aziatik më parë këtë muaj.
KOHA JONË SONDAZH

