Gjatë vitit tjetër Papa Françesku pritet të vizitojë Sudanin e Jugut

Papa Françesku është shprehur se dëshiron të realizojë një vizitë në Sudanin e Jugut gjatë vitit të ardhshëm. Ai u ka bërë thirrje liderëve të këtij shteti që t’i tejkalojnë ndasitë që kanë me njëri-tjetrit në mënyrë që t’i japin fund vuajtjeve të popullit.

Mësohet  se Papa ka folur për krizën në këtë shtet, vetëm tri ditë pasi presidenti dhe ish-lideri i rebelëve u dakordësuan që të shtynë formimin e një qeverie  për 100 ditë, ndonëse afati i fundit që ishte më 12 nëntor.

Fillimisht mendohej se Papa do ta vizitonte këtë shtet, me shumicë të krishterë në vitin 2017, por kjo vizitë u shty për shkak të destabilitetit politik dhe gjithashtu për shkak të mungesës së sigurisë.

“Dua të ritheksoj ftesën time për të gjitha palët politike në këtë shtet, që të arrijnë unitet dhe të tejkalojnë ndasitë”, -tha Papa.

Lufta civile pesëvjeçare në Sudanin e Jugut, e cila përfundoi përmes një marrëveshjeje paqeje në vitin 2018, ka lënë të vrarë 400 mijë persona, ndërkohë që shumë banorë të këtij vendi kanë vuajtur urinë.

Ky konflikt shkaktoi krizën më të madhe të refugjatëve në Afrikë, që prej gjenocidit në Ruanda më 1994.Sudani me shumicë myslimane dhe pjesa jugore e këtij shteti me shumicë të krishterë, kanë luftuar për dekada me radhë.

SHKARKO APP