Gjendet i vdekur bankieri i përfshirë në çështjen hetimore të gruas më të pasur në Afrikë
Një bankier i cili ishte i përfshirë me çështjen hetimore të gruas më të pasur në Afrikë, Isabel dos Santos, u gjet i vdekur në Lisbonë, Portugali.
Nuno Ribiero da Cunha u gjet i vdekur mbrëmjen e së mërkurës në një prej shtëpive të tij në Lisbonë.
Nga hetimet paraprake të policisë, dyshohet se ai ka kryer vetëvrasje.
Da Cunha menaxhonte llogaritë bankare të firmës së naftës Sonangol, e cila është drejtuar më parë nga Dos Santos.
Të mërkurën banka EuroBic, ku punonte dhe viktima, deklaroi se do të ndërpresë marrëdhëniet me Dos Santos.
Ata deklarojnë se do të hetojnë të gjitha transaksionet që ajo ka bërë tek ajo bankë.
Kush është Isabel dos Santos?
Gruaja më e pasur e Afrikës, Isabel dos Santos, është akuzuar zyrtarisht nga prokurorët në Angola për përvetësim fondesh në kompaninë që drejtonte.
Prokurori i Përgjithshëm, Helder Pitta Gros, tha se akuzat i referohen kohës që Santos ka shërbyer si kryetare e firmës shtetërore të naftës “Sonangol”. Përveç Dos Santos, ka edhe të tjerë të akuzuar.
Hetimin për e Isabel dos Santos e cila shërbeu si kreu i kompanisë Sonangol për 18 muaj, që nga qershori i vitit 2016, e ka hapur pasardhësi i saj Carlos Saturnino, i cili paralajmëroi autoritetet se janë vënë re transferime të parregullta parash nga ana e kompanisë.
Dokumentet që janë zbuluar këtë javë, pretendojnë se Isabel dos Santos, e bija e ish presidentit Jose Eduardo dos Santos, e ndërtoi pasurinë e saj prej 2.1 miliardë dollarësh përmes korrupsionit, duke abuzuar me postin e saj.
Vetë ajo i ka mohuar të gjitha akuzat që i janë drejtuar, duke thënë se autoritetet po bëjnë “gjueti shtrigash”.