Gjermani, protesta për masat anti Covid-19
Në Gjermani, edhe këtë fundjavë u organizuan protesta kundër masave kufizuese prej pandemisë, që disa qytetarë i konsiderojnë jokushtetuese.
Qytetet gjermane janë organizuar në tubime kundër masave kufizuese që qeveria po aplikon me arsyen e pandemisë Covid-19.
Edhe pse më të pakët në numër krahasuar me fundjavën e kaluar, qindra qytetarë iu bashkuan manifestimeve në Berlin, Shtutgart dhe Mynih.
Në veri, në qytetin e Hamburgut, policia përdori ujë me presion për të shpërndarë turmat ndërsa në jug, në landin e Bavarisë, shirat e dendur dhe stuhitë bënë që të anulohen rreth 60 protesta të ndryshme.
Rreth 200 persona tubuan edhe në qendrën financiare, në Frankfurt.
“Jam këtu sepse besoj se çdo person duhet të jetë i liri të mbajë vetë përgjegjësi ndaj këtij virusi.”
“Realisht ndjehem e tallur kur politikanët ulen në parlament, në kafene apo privatisht në bare pa respektuar distancimin fizik dhe pa maska. Ndërsa ne qytetarët ndenjëm vullnetarisht për dy muaj e gjysmë në shtëpi, pa kontaktuar fëmijët dhe nipërit.”
“Masat shkelin të drejtat tona kushtetuese, liritë tona për shëndetin e 0,37 për qind të popullsisë që mund të vdesë për shkak të kovidit.”
Falë testimeve në terren, Gjermania ka mundur ta kalojë më lehtë pandeminë e koronavirusit dhe këtë muaj vendosi të lehtësojë masat kufizuese duke hapur këndet e lojërave, muzetë, dyqanet dhe restorantet.
Në nivel kombëtar, virusi ka infektuar 180 mijë persona dhe ka vrarë mbi 8,200 të tjerë.
Ndërkohë, autoritetet raportuan se në qytetin e Frankfurtit, 40 persona kanë rezultuar pozitivë me kovid pas pjesëmarrjes në një meshë në kryeqytet.
Institucionet e kultit janë hapur që nga 1 maji duke ndjekur rregullat e distancimit dhe të higjienës.
Kjo periudhë pandemie, megjithatë, ka forcuar bashkëjetesën fetare dhe në rrethanat e koronavirusit dhe të muajit të shenjtë për islamin, edhe kishat po hapin dyert për besimtarët myslimanë pasi jo të gjitha xhamitë mund t’u sigurojnë ambientet për faljet e veçanta.