Gjermania lehtëson rregullat për Coronën, Merkel paralajmëron qytetarët: Mos kujtoni se jeni të sigurt!

Edhe pse në Gjermani po lehtësohen rregullat kancelarja Merkel paralajmëroi që askush nuk duhet të flejë në dafina dhe të kujtojë se tani gjendja është e sigurt.

Kancelarja Angela Merkel dhe kryeministrat e landeve ranë dakord për lehtësimin e mëtejshëm të kufizimeve për pandeminë e koronavirusit. Pas diskutimeve Merkel tha në Berlin se sheshet e lojërave për fëmijë dhe institucione si muze, vende përkujtimore, kopshte zoologjike dhe kopshte botanike mund të rihapen nëse plotësojnë kushtet e sigurisë për pandeminë e koronavirusit.

Komunitetet fetare kanë propozuar edhe kushte nën të cilat mund të rifillojnë edhe shërbesat fetare në mbarë vendin. Përveç rregullave të higjienës dhe të distancës, koncepti përfshin edhe rekomandimin për të mos kënduar dhe përdorur instrumente frymore. Mendohet se si ata që këndojnë edhe ata që u bien instrumenteve frymore lëshojnë më shumë spërkla infektive.

Hap i ndërmjetëm

Merkel tha se diskutimet e deritanishme mes qeverisë federale dhe landeve janë “një hap i ndërmjetëm”. Më 6 maj do të zhvillohet një takim tjetër ku do të merren në shqyrtim pasojat e pas lejes për hapjen e dyqaneve 14 ditë më parë, tha Merkel. Kancelarja theksoi se qëllimi kryesor është që të ngadalësohet përhapja e virusit në mënyrë që sistemi shëndetësor të mund të përballojë numrin e njerëzve që mund të preken rëndë nga sëmundja.

Në rast shtimi të infeksioneve sërish kufizime

Nëse kurba e infeksioneve do të rritet përsëri me shpejtësi, ne duhet të jemi gati për të reaguar, tha Merkel dhe paralajmëroi që askush nuk duhet të kujtojë se tani gjendja është e sigurt. Në vendim e qeverisë gjermane thuhet se në rast se do të ketë “dinamika rajonale me numër të madh infeksionesh të reja institucionet duhet të reagojnë menjëherë. Kjo do të thotë edhe që do të rihyjnë në fuqi kufizimet e para 20 prillit, pra përpara se të hapeshin dyqanet.”

Shkollat, kopshtet, çerdhet

Kryeministri i landit të Bavarisë, Markus Söder, tha se me lehtësimet e planifikuara, Gjermania po bën një hap drejt normalitetit – por të një normaliteti me virusin Corona. Sipas tij “Padyshim që këtë vit nuk do të jetë më një vit normal shkollor.”

Takimi i 6 majit do të përqendrohet posaçërisht në konceptet për hapjen graduale të shkollave, kopshteve apo dhe ambienteve sportive. Hapja e sektorëve të tjerë si gastronomia dhe turizmi do të diskutohen në takimet vijuese. Kurse tema e pushimeve verore nuk është ende në rendin e ditës për shkak se në disa vende evropiane vazhdojnë të jenë në “mbyllje totale”./DW

SHKARKO APP