Gjermania ndërmerr një paketë masash me vlerë deri në 750 miliardë euro – Synohet borxh i ri pas shumë vitesh

Gjermania ka publikuar një paketë masash me vlerë deri në 750 miliardë euro për të ulur efektet e shpërthimit të koronavirusit, ku synohet se do të merret një borxh i ri për herë të parë që nga 2013.

“Kjo është një paketë shumë e madhe me shumë masa,” tha Ministri gjerman i Financave Olaf Scholz gjatë një konference për shtyp me Ministrin e Ekonomisë Peter Altmaier, duke shtuar se Gjermania do të dyfishojë numrin e shtretërve në njësitë e kujdesit intensiv.

Një buxhet shtesë federal prej 156 miliardë eurosh, që do të financohet nga kredi të reja, nënvizon vendosmërinë e Berlinit për të përdorur “gjithçka që kemi” për t’u marrë me efektet e shpërthimit të koronavirusit, shtoi Scholz.

Pandemia e koronavirusit mund të çojë ekonominë e vendit në recesion, ndërsa Scholz tha se planet e tij të buxhetit bazohen në supozimin se PBB-ja e këtij viti do të bjerë me rreth 5%. Buxheti i shtetit mund të përballojë mirë këtë situatë, sipas një raporti mujor nga banka qendrore e vendit të hënën. (ordonews)

SHKARKO APP