Gjermania synon të bëhet lidere në Evropë për inteligjencë artificiale
Qeveria gjermane shpreson të krijojë kornizën që Gjermania të bëhet lidere në sektorin e inteligjencës artificiale në Evropë, kanë thënë ministrat e këtij vendi.
Në mesin e hapave të nevojshëm është përmendur zbatimi i rregulloreve të reja të Bashkimit Evropian për inteligjencë artificiale dhe qasja më e lehtë në të dhëna për bizneset e reja inovative, ka thënë ministri për Çështje Digjitale, Volker Wissing, në Samitin Digjital të Qeverisë, të mbajtur në Frankfurt.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz e ka pranuar që për kohë të gjatë, shumë pak gjëra kanë ndodhur në Gjermani kur është fjala për inteligjencën artificiale, dhe i ka përmendur mundësitë që ofron teknologjia e re.
“Besoj se kemi mundësi fantastike, sidomos ku është në funksion fuqia e kompjuterit”, ka thënë ai, duke shprehur bindjen se kompanitë gjermane mund të zhvillojnë modele biznesore, bazuar në atë teknologji.
Gjermania lavdërohet për trajnimet akademike që ofron për ekspertët e inteligjencës artificiale, mirëpo ekspertët besojnë se në këtë vend ka deficit të madh në përdorim të aplikacioneve që funksionojnë me inteligjencë artificiale në sektorët e biznesit dhe administratës.
Aktualisht asnjë kompani gjermane nuk është në grupin e kompanive lidere në botë për inteligjencë artificale.
Ministri i Ekonomisë, Robert Habeck, ka thënë se samiti ka treguar se Gjermania është në rrugën e duhur.
“Por, konkurrenca është e ashpër dhe ne duhet të bëjmë më shumë përpjekje. Neve na duhen kompani të inteligjencës artificiale që mund të përballojnë këtë garë dhe të inkuadrohen në ekonominë gjermane”, ka thënë ai.
Shtetet e Bashkuara, me lojtarë si OpenAI dhe Google, dhe Kina, me kompanitë si Baidu dhe Alibaba, konsiderohen lidere në botë në fushën e inteligjencës artificiale.
Kompanitë më të madha evropiane në këtë fushë janë nga Franca, Mistral AI dhe Contentsquare./ REL