Gjuriç zbardh detaje nga takimi në Uashington: Do të diskutohen edhe tema të vështira politike
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, tha se delegacioni i Serbisë në bisedimet me Kosovën në Uashington, është i hapur për një bisedë konstruktive dhe se do të mbrojë “interesat serbe”.
Gjuriç, i cili është pjesë e delegacionit, u tha gazetarëve se delegacioni dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, do të paraqesin një agjendë të bashkëpunimit ekonomik midis Beogradit dhe Prishtinës.
Sipas tij, kjo agjendë mund të ndryshojë plotësisht llojin e marrëdhënieve serbo-shqiptare.
“Jemi përgatitur për projekte serioze të bashkëpunimit midis nesh dhe Prishtinës. Ne kemi përgatitur një spektër të gjerë të projekteve – projekte të infrastrukturës – dhe një mundësi për biznesmenët e rinj. Por, duke u angazhuar në forcimin e lidhjeve ekonomike, jemi gjithmonë të gatshëm të mbrojmë interesat serbe”, tha Gjuriç.
Zyrtari i qeverisë serbe tha se pret që në takimin në Shtëpinë e Bardhë, të vendosen në tryezë të bisedimeve edhe tema të vështira politike.
“Nëse kjo ndodh, të gjithë ata që kanë ndjekur politikën serbe për tetë vitet e fundit mund ta dinë se përgjigja e shtetit serb ndaj propozimeve konstruktive do të jetë me përgjegjësi. Por ne do të jemi gjithmonë të gatshëm, kur është e nevojshme, të refuzojmë atë që nuk është në interes të Serbisë”, tha Gjuriç.
Në Shtëpinë e Bardhë sot (e enjte) pritet të takohen kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Nikoqirë të takimit do të jenë këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, si dhe i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
O’Brien të mërkurën ka thënë se diskutimet në Shtëpinë e Bardhë, mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, do të çojnë përpara paqen përmes bashkëpunimit ekonomik.
Paraprakisht ishte bërë e ditur se diskutimet mes këtyre dy shteteve do të zhvilloheshin më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë. Për tash, nuk është e sigurt se bisedat do të vazhdojnë edhe pas 4 shtatorit.
Kryetari i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh, i cili është gjithashtu pjesë e delegacionit serb, i tha Radio Televizionit të Serbisë, se Beogradi ka përgatitur disa propozime në fushën e ekonomisë dhe lidhjeve infrastrukturore.
Ai vlerësoi se të dyja delegacionet duhet të diskutojnë se si të ndihmojnë projektet inovative, të organizojnë parqe industriale dhe të biznesit, si dhe të tërheqin investitorë./rel