Gjykata e Strasburgut dënon Rusinë për helmimin e Navalny-t

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka dënuar Rusinë për dështimin në hetimin e duhur të helmimit të opozitarit Alexei Navalny në vitin 2020, për të cilin Perëndimi thotë se ishte një tentim për vrasje.

ECHR-ja, me seli në Strasburg të Francës, tha se Rusia kishte dështuar në mënyrë të dukshme “t’i hetojë pretendimet për një motiv të mundshëm politik për tentativën e vrasjes, si dhe përfshirjen e mundshme të agjentëve shtetërorë”, duke konstatuar unanimisht se Rusia e kishte shkelur Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në deklaratën e publikuar thuhet se Rusia kishte refuzuar të hapte procedurë penale për helmimin që kishte bërë që Navalny të binte në komë. Aktivisti opozitar kundër korrupsionit, i parë nga mbështetësit e tij si një rival i mundshëm politik i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, u sëmur gjatë një fluturimi nga Siberia.

Ai më vonë u evakuua në Gjermani, ku u shërua, por u burgos menjëherë pas kthimit të tij në Moskë dhe që atëherë ka qenë në burg.

ECHR-ja vuri në dukje se testet e kryera nga qeveria gjermane kishin gjetur “prova të qarta” të pranisë së helmit kimik Novichok në trupin e Navalnyt.

Gjykata evropiane tha se hetimi i bërë nga Rusia lidhur me këtë rast nuk ishte i hapur dhe se Navalny nuk ishte lejuar të merrte pjesë.

Hetimi nuk arriti “të çonte në vërtetimin e fakteve përkatëse, si dhe identifikimin dhe, nëse do të ishte e përtshtatshme, ndëshkimin e personave përgjegjës”, tha ai.

“Prandaj (hetimi) nuk mund të konsiderohet adekuate”. Rusia u urdhërua ta paguante Navalnyn 40.000 euro si dëmshpërblim.

ECHR-ja është pjesë e organit të të drejtave pan-evropiane, Këshilli i Evropës, nga ku Rusia u përjashtua pas pushtimit të paprovokuar të Ukrainës vitin e kaluar.

Megjithatë, ECHR-ja tha se ka ende një numër të madh të rasteve të paraqitura nga shtetas rusë para përjashtimit të Rusisë dhe bëri të ditur se do të vazhdojë hetime dhe të nxjerrë vendime për ato raste.

Kjo gjykatë thotë se Rusia është ligjërisht e detyruar t’i zbatojë vendimet e ECHR-së në lidhje për rastet e nisura deri më 16 shtator 2022./ REL

SHKARKO APP