Gjykata turke dënon me burgim gjashtë gazetarë
Një gjykatë turke dënoi me burgim gjashtë gazetarëve dhe një punonjëse të financave në mediumin opozitar Sozcu, nën akuzat se kanë ndihmuar në orkestrimin e grushtshtetit të dështuar në vitin 2016.
Gazeta Sozcu, e përshkroi aktgjykimin si një shenjë të zezë në historinë e shtypit të lirë. Të tetë të pandehurit e pranishëm në seancën gjyqësore kërkuan të shfajësohen nga akuzat.
Ankaraja ka shënjestruar në vazhdimësi, përkrahësit e dyshuar të Fethullah Gulenit, një klerik mysliman me bazë në SHBA, që nga përpjekja për atë që autoritetet turke e quajnë tentim grushtshteti, në korrik 2016, në të cilën u vranë rreth 250 njerëz.
Kolumnistët e shquar, Emin Colasan dhe Necati Dogru, si dhe redaktorët Mustafa Cetin dhe Metin Yilmaz u dënuan nën akuzat se kanë ndihmuar rrjetin Gulenist, njoftoi gazeta Sozcu. Secili u dënua me më shumë se tre vjet burgim.
Koordinatori i lajmeve në internet, Yucel Arı, reporteri Gokmen Ulu dhe drejtoresha e financave, Yonca Yücekaleli, u dënuan me dy vjet dhe një muaj burgim.
Gjykata vendosi të lirojë gazetaren, Mediha Olgun ndërsa vendimi për pronarin e gazetës Burak Akbay u shty, pasi ai po gjykohej në mungesë.
Që nga viti 2016-ë, më shumë se 77.000 njerëz janë burgosur dhe janë në pritje të gjykimit si dhe rreth 150.000 shërbyes civil, personel ushtarak dhe të tjerë janë larguar ose pezulluar nga puna e tyre, nën akuzat se janë përkrahës të Gulenit.
Gulen, i cili ka jetuar në mërgim të vetë-imponuar në Pensilvani që nga viti 1999, mohon çdo përfshirje në grushtshtet. Radio Europa e Lire