Gjysmë milionë italianë rikthehen në shkollë

Gjysmë milionë maturantë në Itali u ulën sërish në bankat e shkollës për të dhënë provimet e fundit, në një vend që po has vështirësi t’i rikthehet normalitetit pas pandemisë që bëri kërdinë. Rregulla të reja janë vendosur në shkollat ku, provimet po mbahen nëpër korridore.

Të largëta duken ditët e korridoreve të zhurmshme me nxënës që prisnin të hynin në klasat e tejmbushura. Tani, të gjithë duhet të mbajnë maska, tavolinat janë 2 metra larg njëra-tjetrës, dhe numri i atyre që u nënshtrohen provimeve është i kufizuar. Në shkollat me më shumë hapësirë në kryeqytet, më vend të ambienteve të brendshme u shfrytëzuan ato të jashtmet, ku u ngritën tenda.

“Gjëja më e çuditshme ishte të mos shihje fytyrat e mësuesve. Nuk jemi mësuar e nuk mund të dallonim dot shprehitë e tyre”, u shpreh Ginevra Puglielli.

Disa studentë thanë se kishin vuajtur gjatë tre muajve të karantinës, por se tani po fillonin t’i riktheheshin jetës normale post pandemisë. Shumica prej tyre janë të shqetësuar për atë që i pret në tregun e punës, ndërsa efektet e kufizimeve, po peshojnë rëndë tek ekonomia.

Megjithatë, përmirësimi i vazhdueshëm i krizës shëndetësore po ushqen shpresat për rimëkëmbje graduale. 8 rajone rezultojnë pa infektime e prej javësh bilanci i vdekjeve është nën 100. Institucionet arsimore në Itali u mbyllën në 5 mars në përpjekjen për të frenuar përhapjen e koronavirusit, e që prej atëherë mësimi është zhvilluar vetëm online. Autoritet shpresojnë të rihapin shkollat më 14 shtator.

SHKARKO APP