Gratë australiane në protesta masive kundër abuzimit seksual
Dhjetëra mijëra gra në të gjithë Australinë kanë dalë në protestë kundër sjelljes së keqe dhe ngacmimit seksual në këtë vend.
Protesta filloi si përgjigje ndaj akuzave të fundit për sulm seksual ndaj Brittany Higgins, një ish-punonjëse e qeverisë që pretendoi se u përdhunua nga një koleg, zyrtar i lartë, brenda zyrës së një ministri në vitin 2019, bëri të ditur ABC News.
Pretendimet e Higgins kanë shkaktuar shqetësim dhe debat të gjerë në lidhje me trajtimin dhe ngacmimin e grave në Parlament.
“Jam përdhunuar brenda Shtëpisë së Parlamentit nga një koleg dhe për shumë kohë u ndjeva sikur njerëzit rreth meje interesoheshin vetëm për vendin ku ndodhi dhe çfarë mund të nënkuptojë kjo për ta. Ishte aq konfuze sepse këta njerëz ishin idhujt e mi”, tha Higgins. Ajo i bëri këto komente derisa fliste në tubimin protestues të grave jashtë Shtëpisë së Parlamentit.
Sipas Higgins, një në çdo pesë gra në Australi sulmohet ose përdhunohet seksualisht në jetën e tyre, duke shtuar se “nëse jeni një grua me ngjyrë, këto statistika janë edhe më të larta”.
“E pashë se si kryeministri i Australisë më kërkoi falje publikisht përmes mediave, ndërsa privatisht ekipi i tij diskreditonte në mënyrë aktive të dashurit e mi”, shtoi ajo.
Më 16 shkurt, kryeministri Scott Morrison i kërkoi falje Brittany Higgins-it për mënyrën si u trajtua fillimisht ankesa e saj për përdhunim.
Në “Tubimet e Drejtësisë” të 4 marsit të mbajtura në 40 qytete të vendit u kërkua mbrojtje për gratë në Australi.
Morrison ofroi të fliste me organizatorët në Shtëpinë e Parlamentit, por ata e refuzuan ofertën, duke thënë që kryeministri Morrison duhet të dilte dhe të fliste me pjesëmarrësit në tubim.