Gratë yazide që kërkojnë kokën e ISIS-it

Formohet batalioni i "Sun Girls": 123 gra yazide luftojnë kundër ISIS.

 

Fytyra e re e luftës ndaj ISIS është ajo e një gruaje. Quhet Xate Shingali dhe ishte një këngëtare e famshme yazide, e njohur dhe e adhuruar në Irak për muzikën e saj folk. Tashmë Xate udhëheq një batalion i gjithi femëror që lufton kundër milicëve të ISIS-it për t’u hakmarrë për përdhunimet dhe masakrat e kryera kundër popullit të yazidëve.

Bërthama e "Sun Girls" (në fakt, yazidët adhurojnë diellin dhe respektojnë kultet e deritës dhe të natës të zoroastrizmit) është e përbërë nga gra, të cilat i janë nënshtruar dhunës së pamëshirshme seksuale, apo që janë detyruar të martohen me ndonjë luftëtar të Shtetit Islamik. Të mbijetuara ndaj torturave dhe ndaj tmerrit, tani ato betohen se do të marrin hak. “Na kanë përdhunuar, do t’i vrasim”, thonë anëtaret e milicisë së posaçme të krijuar më 2 korrik dhe që tashmë ka 123 gra ushtare të moshës nga 17 deri në 30 vjeç. Masakra e fundit e yazidëve ndodhi majin e kaluar në zonën e Tal Afar, në Irak.

Ideja për të krijuar një njësi grash yazide i ka ardhur pikërisht Xate Shingali-t, e cila për ta konkretizuar projektin ka marrë edhe bekimin e presidentit kurd, Masoud Barzani.

"Hëpërhë, – ka shpjeguar artistja 30-vjeçare për ‘Daily Mail’, – kemi bërë vetëm një stërvitje bazë dhe do të kemi nevojë për kohë për të mësuar edhe gjëra të tjera, por jemi të gatshme të luftojmë në çdo moment”.

Yazidet janë të gatshme të luftojnë përkrah grave peshmerga, të cilat kanë kohë tashmë që qëllojnë kundër luftëtarëve të ISIS-it, si pjesëtare të njësisë së posaçme femërore kurde Ypg – që kanë qenë të angazhuara dhe në çlirimin dhe mbrojtjen e Kobanes, qytetit sirian në kufi me Turqinë, i cili iu mor ISIS-it dimrin e kaluar.

Shumë prej skllaveve seksuale yazide që përfunduan në duart e milicëve të ISIS-it u rrëmbyen gjatë plaçkitjes dhe shfarosjes së gushtit 2014 në rajonin e Sinjarit, në veri të Irakut.

Një grua, e cila kishte qenë skllave e terroristëve, u rrëfye për tmerrin që pa me sy. “Çfarë më bënë? Më vjen shumë turp ta them dhe nuk gjej dot as fjalët për ta përshkruar martirizimin tim. Por, ju lutem, më ndihmoni t’ju tregoj ndëshkimet që kemi pësuar unë dhe miket e mia”. Mayat, një emër fiktiv, është 17 vjeçe dhe ka zërin e një fëmije. Më 3 gushtin e vitit të kaluar, gjatë sulmit xhihadist në Sinjar u rrëmbye nga ushtarët e ISIS-it. Që atëherë, së bashku me gra të tjera, u mbajt e burgosur në një fshat në luginën e Ninives, në jug të Mosulit.

Kontakti me të u bë me celular dhe numrin e dhanë prindërit nga çadrat ku ndodheshin, të strehuar në një prej kampeve të refugjatëve që ndodhen në veri të Kirdistanit irakian. Mayat flet pak anglishte, të cilën nisi ta mësojë sepse i pëlqen të shkojë të punojë në Gjermani. Gjatë intervistës, kur përshkruante detajet e rrëmbimit të saj, zëri i saj dridhej dhe vajza niste të qante. “Ju lutem, mos ma shkruani emrin, – thoshte ajo, – sepse ndihem shumë në siklet për atë që më ka ndodhur. Një pjesë e imja do të donte të vdiste në çast, të futem nën dhe’ e të qëndroj atje përgjithnjë.”

Ku ndodheni?

"Nuk e di si quhet qyteza ku na kanë sjellë, sepse erdhëm natën dhe që atëherë na kanë mbyllur në një shtëpi, me dritaret gjithnjë të mbyllura, nga ku nuk mund të dalim sepse na ruajnë me njerëz të armatosur”.

Ju lënë të përdorni celularin?

"Ditët e para na e sekuestronin menjëherë po të na e gjenin. Por më pas rojet ndryshuan strategji dhe për të na lënduar edhe më shumë na thonë që t’ua tregojmë prindërve atë që na bëjnë. Tallen me ne sepse ndihen të pathyeshëm, sepse ndihen superburra. Por janë vetëm njerëz pa shpirt”.

Çfarë ju bëjnë?

"Abuzojnë me ne".

Sa jeni?

"Në shtëpinë e madhe, rreth 40. Dhe jemi të gjitha viktima. Përdhunuesit nuk kursejnë as ato që kanë fëmijë të vegjël me vete. Disa prej nesh nuk kanë mbushur ende 13 vjeç. Janë ato që reagojnë më keq ndaj kësaj ndyrësie. Disave iu ka ikur goja, nuk flasin më. Njëra i hoqi të gjitha flokët dhe e kanë marrë tutje”.

Ku ndodh dhuna?

"Në katin e fundit të shtëpisë. Ka tri dhoma për përdhunimet. Dhomat e tmerrit”.

Ju ndodh shpesh ushtrimi i dhunës?

"Edhe tri herë në ditë. Na trajtojnë si të ishim skllavet e tyre. Na çojnë gjithnjë me burra të ndryshëm. Disa madje janë nga Siria. Na kërcënojnë dhe na rrahin kur tentojmë të rezistojmë. Nganjëherë do të doja të më rrihnin aq shumë, sa të vdisja. Por janë burracakë. As këtë, askush prej tyre nuk ka guximin ta bëjë”.

Kush janë ata?

"Nuk e di. Disa janë të moshuar, disa të rinj. Disa janë të veshur si ushtarë, ca të tjerë veshin rrobat e arabëve, ndërsa ka edhe të tjerë që duken njerëz fare normalë. Natën edhe rojet tona na hidhen përsipër”.

SHKARKO APP