Greqi, digjet kampi i refugjatëve, dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme

Kampi i Morias strehon rreth 13 mijë emigrantë, qindra fëmijë.

Mijëra refugjatë që strehohen në Greqi janë në kërkim të një vendstrehimi të ri pasi kampi i tyre është djegur thuajse plotësisht. Zjarri mendohet se u ndez qëllimisht nga banorët që refuzonin karantinën prej koronavirusit.

Një mori zjarresh shkatërruan të mërkurën kampin më të madh të refugjatëve në Greqi.

Dhjetëra zjarrfikës dhe helikopterët punuan për të shuar flakët që mbuluan strehën e përkohshme të 13 mijë emigrantëve rreth orës 2 të mëngjesit.

Të gjithë u detyruan të evakuohen në zonat më të sigurta dhe në rrugët e ishullit Lesbos.

Kryebashkiaku i qytezës kryesore të ishullit tha se zjarri në kampin e Morias u përhap së pari nga brenda, më pas edhe jashtë ambienteve.

Në pak orë, temperaturat e larta dogjën plotësisht kontejnerët dhe tendat e strehimores duke u lënë banorëve vetëm pak minuta kohë për të shpëtuar sendet personale.

Nga flakët u raportuan lëndime të lehta por asnjë rrezik për jetën.

Ndërsa shkaqet nuk janë sqaruar, përflitet për një zjarrvënie të qëllimshme.

Që pas zbulimit të një shtetasi somalez më 2 shtator, mbi 35 banorë të kampit kanë rezultuar bartës të koronavirusit të ri dhe i janë nënshtruar karantinës.

Detyrimi për karantinimin dyjavor të familjarëve u prit me përplasje dhe protesta dhe mendohet se përshkallëzoi në orët e natës me ndezjen e zjarrit.

Për shkak të situatës së krijuar dhe rrezikut të përhapjes së infeksionit mes emigrantëve, qeveria greke organizoi të mërkurën një mbledhje urgjente të kabinetit.

Sfidë për qeverinë mbetet gjetja e një vendstrehimi të ri provizor për mijëra refugjatët e ardhur aty si pasojë e krizave kryesisht në Afganistan dhe Siri, dhe synojnë përfundimisht Evropën.

Prania e tyre në ishullin grek Lesbos është kundërshtuar shpeshherë nga banorët vendës.

SHKARKO APP