Greqi: Fermerët përshkallëzojnë protestat, bllokada në rrugë, porte dhe dogana
Protestat e fermerëve në Greqi po hyjnë në një fazë edhe më të tensionuar, teksa bllokadat janë shtrirë në rrugë kryesore, autostrada dhe pikat doganore në të gjithë vendin. Mobilizimi është bërë masiv dhe pritet që javën e ardhshme Komiteti Panhelenik të përcaktojë strategjinë e re të veprimeve, duke sinjalizuar se përshkallëzimi nuk do të ndalet.

Qeveria ka deklaruar gatishmëri për dialog, por paralajmëron se nuk do të lejojë akte dhune. Zëdhënësi Pavlos Marinakis nënvizoi se negociatat nuk mund të zhvillohen paralelisht me incidente të rënda, si ato të regjistruara pranë aeroportit “Maqedonia” në Selanik, ku pati përplasje mes protestuesve dhe policisë. Ai theksoi se ligji do të zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë.
Tensionet u rritën të premten, kur fermerët tentuan të çanin kordonët policorë për të depërtuar drejt aeroportit. Në turmë u dëgjuan thirrje për të goditur policët, ndërsa një traktor u kthye me shpejtësi drejt efektivëve. Disa protestues arritën të kalonin barrierat dhe të bllokonin përkohësisht rrugën brenda ambienteve të Shkollës Bujqësore.
Bllokada të shumta janë vendosur në shumë zona. Në mbikalimin e Thermit qarkullimi u lejua vetëm për emergjenca, ndërsa autostrada Egnatia u mbyll në Serres. Protesta të ngjashme janë zhvilluar në Komotini, Kouloura, si dhe në Thesali, ku mbi 4,000 traktorë kanë zënë kryqëzimet kyçe nga Nikaia deri në Kardhicë e Trikala. Fermerët planifikojnë takime të reja për të vijuar aksionet, përfshirë mbyllje simbolike të rrugëve, portit të Volosit dhe zonave të tjera të Greqisë Qendrore.

Edhe pikat doganore janë paralizuar: Kipi, Exochi, Promachona, Evzoni, Niki dhe rruga drejt Kakavias mbeten të bllokuara pjesërisht ose plotësisht. Në shumë prej tyre lejohet vetëm kalimi i automjeteve të vogla dhe autobusëve, ndërsa kamionët me mallra të prishshme kalojnë me kufizime. Në Promachona u lejua qarkullimi për disa orë, por më pas kufiri u mbyll sërish deri në mbrëmje.
Ndërkohë, në Kipit mbi 200 traktorë kanë bllokuar pikat kufitare prej pesë ditësh, duke krijuar radhë të gjata kamionësh. Në Lesbos protestuesit hodhën qumësht në rrugë, si shenjë revolte ndaj politikave bujqësore.
Situata mbetet e brishtë dhe e nxehtë, ndërsa fermerët paralajmërojnë se nuk do të tërhiqen pa marrë përgjigje konkrete për shqetësimet e tyre.
KOHA JONË SONDAZH

