Greqi, zgjedhje të reja në mesin e shtatorit
Kryeministri grek Aleksis Tsipras ka deklaruar të enjten në mbrëmje se do të japë dorëheqjen bashkë me qeverinë që kryeson, me qëllim që të kërkojë një mandat të ri dhe më të fuqishëm nga qytetarët.
Vendimi i kryeministrit grek merret pas diskutimeve të gjata me aleatët e qeverisë dhe ministrave të kabinetit qeveritarë. Sot në mbrëmje, kryeministri Aleksis Cipras iu drejtua popullit grekë me një mesazh të drejtëpërdrejtë televiziv.
“Do të kërkoj votën e popullit grek që të shpalosim gjithë aspektet e programit. Kemi më shumë përvojë, jemi më të gatshëm. Ju garantoj se nuk kam për t’ia dorëzuar askujt mburojën e ideve dhe ju ftoj të japim betejën e vështirë për ta ngritur sërish atdheun në këmbë”, tha kryeministri Cipras.
“Mandati popullor që morëm më 25 janar i ezauroi limitet e tij”, tha më tej Cipras, duke iu drejtuar popullit grek. “Ju me votën tuaj do të vendosni nëse marrëveshja që arritëm ofron garancitë që të dalim nga kriza”, shtoi ai, duke shpjeguar arsyet e vendimit për dorëheqje.
Cipras e mbylli mesazhin e tij duke thënë se do të shkoj te presidenti i Republikës Pavlopulos, që ti paraqes dorëheqjen. Sipas Kushtetutës greke, presidenti i Republikës do të mandatojë me radhë partinë e dytë Demokracia e Re dhe më pas të tretën Lumi (To Potami), për krijimin e një qeverie të re. Por siç dihet asnjëra dhe të dyja bashkë nuk i disponojnë numrat e duhur për krijimin e qeverisë. Kështu që e vetmja zgjidhje është që pas mandatimit formal të këtyre dy partive, të shpallet mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme në Greqi, ku si data më e mundshme konsiderohet 20 shtatori, megjithëse kryeministri Cipras, ka propozuar që zgjedhjet mund të mbaheshin edhe një javë më herët, më 13 shtator. Cipras do i paraqes dorëheqjen Presidentit të Republikës në mënyrë që ti hap rrugë betimit të qeverisë kujdestare, për të nisur nga puna të hënën, e cila do të kryesohet nga kryetarja e gjykatës së Lartë Supreme zonjaVasiliqi Thanu.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme ishin si të detyruara për kryeministrin Cipras, pas humbjes së një numri të konsiderueshëm të deputetëve të maxhorancës gjatë votimit në muajin korrik të masave të reja që parashikonte marrëveshja për planin e ri të shpëtimit të Greqisë, me vlerë 86 miliardë euro.
Ndërkohë që sipas Cipras është shënuar një normalizim i ekonomisë së vendit, zgjedhjet e reja do të sjellin normalizimin e politikës.
Kujtim VANI