Greqia dhe Kroacia, duan zgjidhje për pushuesit
Europianët i tremben pamundësisë për të shijuar pushimet e sivjetshme verore në plazhet e tyre të preferuara. Qeveria greke, me argumentin se ia ka dalë më së mirë të përmbajë virusin përmes masave izoluese, është e vendosur të rihapë plazhet e saj për pushuesit më 1 korrik.
”Jemi ende duke përpiluar protokollet mjekësore, por ka shumë gjasë që do të duhet një farë testimi në momentin e nisjes së pasagjerëve për të qenë të sigurt. Po shpresojmë që Bashkimi Europian të tregojë lidershipin e duhur për të arritur një marrëveshje mbarë europiane. Ka një sërë vendesh që e duan këtë dhe duan të shkojnë në këtë drejtim dhe Greqia është e para ndër këto shtete. Por nuk mund të presim gjatë”, ka thënë ministri i Turizmit të Greqisë Haris Theoharis.
Si shumë shtete të tjera në Europën Jugore, Greqia kërkon me çdo kusht të shpëtojë industrinë e turizmit nga një kolaps i mundshëm. Në mungesë të stinës turistike, bizneset e këtij sektori, veçanërisht ato të vogla dhe të mesme, rrezikojnë falimentimin. Deri më tani nuk ka udhëzime nga Bashkimi Europian për rihapjen e destinacioneve të mirënjohura të turizmit pa rrezikun e pasojave kundrejt shëndetit publik.
Kroacia
“Besoj se të gjithë po bisedojmë për një lloj certifikimi për reduktimin e rrezikut. Unë mendoj se do shërbejë në të mirë të të gjithëve, jo vetëm pronarëve dhe personelit të hoteleve, por edhe për udhëtarët dhe turistët” , është shprehur ministri i Brendshëm i Kroacisë Davor Bozinovic. Sipas Karima Delli, eurodeputete franceze e Partisë së Gjelbër, pushimet verore mbartin një rrezik të madh në kushtet e një pandemie globale. “Përhapja e virusit dhe udhëtimet përreth botës nuk bëjnë shumë kuptim në një perspektivë afatshkurtër. Është më e arsyeshme të kemi udhëtime të shkurtra në rajonet pranë nesh”, shpjegon ajo. Se kur do të hapen kufijtë europian mbetet në dorë të qeverive përkatëse, por kur turizmi është një sektor thelbësor në ekonominë e vendit, shtetet ndodhen nën një presion të madh për t’i hapur ato sa më parë.