Greqia rihap ishujt për vizitorët, Mitsotakis: Presim turistë nga 15 qershori
Greqia hoqi këtë të hënë ndalimin për të udhëtuar në ishuj, ndërsa vendi kërkon t’i japë vrull industrisë së turizmit, pas disa javësh mbyllje si pasojë e koronavirusit.
Anijet kanë rifilluar të lundrojnë në ishuj që kanë qenë jashtë kufijve të lëvizjes, që kur qeveria Greke vendosi kufizime për të parandaluar përhapjen e Covid-19 në mars.
Greqia është vlerësuar për reagimin e saj ndaj pandemisë, ndërsa ka regjistruar 171 vdekje të lidhura me koronavirusin dhe 2.878 raste të konfirmuara.
Javën e kaluar, Kryeministri Grek Kyriakos Mitsotakis tha se vendi do të hapet ndaj turizmit ndërkombëtar nga 15 qershori, më herët nga sa ishte planifikuar fillimisht.
Ai tha se shumica e fluturimeve për në Greqi do të rifillojnë deri në 1 korrik, kur hotelet sezonale do të rihapen dhe një karantinë dy-javore për të huajt nuk do të jetë më në fuqi.
Por turistët nga vendet me nivele të larta infeksioni nuk do të lejohen fillimisht të vizitojnë.
Industria e turizmit në Greqi është jetike për ekonominë e vendit, duke përbërë rreth një të katërtën e PBB-së së vendit.