Gruevski: Maqedonia s’ua del dot emigrantëve

Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski në një deklaratë për mediat ka deklaruar se, “një numri kaq të madh të emigrantëve, shteti nuk ka kapacitet t’u ofrojë ndihmë”, shkruan Zhurnal.mk.

“Vlerësuam se është e nevojshme që Qeveria të ndërmarrë instrumente të përkohshme të caktuara me të cilat fillimisht do t’iu dilet në ndihmë emigrantëve që ata të kenë transport human përmes Maqedonisë që do të thotë se duhet patjetër të kontrollohet hyrja e tyre dhe numri i njerëzve të cilët hyjnë që të mund t’iu ofrohet ndihma e nevojshme kur të hynë në Maqedoni. Një numri kaq të madh të emigrantëve, shteti nuk ka kapacitet t’u ofrojë ndihmë”, tha kryeministri Gruevski.

Masat e përkohshme të Qeverisë ndaj emigrantëve janë në drejtim të sigurimit të transitit më efikas përmes shtetit, deklaroi sot kryeministri Nikolla Gruevski në lidhje me vendimin qeveritar për shpalljen e gjendjes së krizës në rajonin e kufirit jugor shtetëor dhe atë verior si pasojë e fluksit të madh të emigrantëve.

“Ne kemi patur një diskutim lidhur me çështjen e emigrantëve, çështje e cila është për Evropën, jo vetëm për Maqedoninë. Maqedonia është korridor transit dhe është me rëndësi se si ne do të ballafaqohemi me këtë sfidë. Kur e miratuam ligjin me të cilin emigrantëve u dhamë mundësi të caktuara, atëherë kishte 500 deri më 600 emigrantë në ditë, ndërsa kjo shifër u rrit në 800-900, pastaj në 1000 dhe në 2.000 mesatarisht në ditë dhe tani kemi mbi 2.500. Në periudhën e ardhshme ky numër pritet të arrijë edhe në tre mijë, katër mijë e kështu me radhë”, tha Gruevski.

SHKARKO APP