Guri i Zi i Mekës zbulohet si kurrë më parë, 50 orë për ta fotografuar (FOTO)
Për herë të parë publikohen fotografi me rezolucion të lartë të gurit antik fetar, në qytetin e shenjtë të Mekës. Imazhet e al-Hajar al-Aswad, ose Guri i Zi, janë deri në 49000 megapiksel në madhësi dhe u deshën më shumë se 50 orë për t’u fotografuar. Guri u fotografua për shtatë orë.
Një anëtar i studimeve Islame, në Universitetin e Oksfordit, tha se kjo është hera e parë që ka një foto digjitale të zmadhuar të gurit, për ta parë atë nga afër dhe për të kuptuar që nuk është i zi. ”Në traditën myslimane, guri konsiderohet të jetë një relikt i shenjtë, dhe ndonëse është e pashembullt të shohësh një fotografi të gurit, duket se shkenca po luan një rol të madh edhe në fe”, shtoi ai.
Guri është i përshtatur me argjend të pastër në këndin juglindor të Qabes (Ka’bah), ndërtesa në formë kubi e ndërtuar, sipas Kuranit, nga Ibrahimi dhe djali i tij Ismaili. Meka konsiderohet si qendra shpirtërore e Islamit dhe në të çdo vit, kryhet pelegrinazhi më i rëndësishëm vjetor. Gjatë Haxhit, adhuruesit ecin në drejtim të kundërt të orës rreth monolitit të zi, duke prekur apo puthur al-Hajar al-Aswad kur kalojnë pranë.
Sipas studiuesve të islamit, guri fillimisht ishte i bardhë, jo i zi. Mendohet se njerëzimi duke prekur gurin dhe duke kërkuar falje nga Zoti guri u shndërrua i zi, duke pasqyruar mëkatet e njerëzimit. Shkencëtarët theksojnë se guri mund të jetë një meteorit, ose të ketë rënë nga qielli. Megjithatë njerëzit e puthin gurin sot dhe e shohin si të shenjtë sepse Omar, kalifi i dytë mysliman, u tha ndjekësve se ai kishte parë Profetin Muhamed ta bënte atë.