Guvernatori i Teksasit del kundër vendimit të Biden, nxjerr urdhërin ekzekutiv që ndalon vaksinimin e detyruar në të gjithë shtetin

Guvernatori Greg Abbott i shtetit jugperëndimor të Teksasit në Shtetet e Bashkuara, nxori një urdhër ekzekutiv të hënën që ndalon vaksinimet e detyruara kundër COVID-19 në këtë shtet.

“Asnjë entitet në Teksas nuk mund të detyrojë asnjë individ që të bëjë vaksinën, përfshirë punonjës apo konsumatorë, që kundërshtojnë të vaksinohen për arsye personale, besim fetar, apo arsye mjekësore, përfshirë kur e kanë kaluar më parë COVID-19, “thuhet në urdhër.

Zoti Abbott është një nga disa guvernatorë republikanë në Shtetet e Bashkuara që kanë kundërshtuar nismat e Presidentit Joe Biden për të frenuar pandeminë gati dyvjeçare, përfshirë moslejimin e zbatimit të udhëzimeve të qeverive lokale dhe shkollave për mbajtjen e detyrueshme të maskave.

Presidenti Biden nxori një urdhër muajin e kaluar, ku kërkonte që të gjitha bizneset me 100 ose më shumë punonjës, ose të vaksinojnë plotësisht punonjësit e tyre, ose të përballen me testime javore, dhe e bënte të detyrueshëm vaksinimin për të gjithë punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe punonjësit federalë.

Dy kompani të mëdha me qendër në Teksas, American Airlines dhe Southwest Airlines, kanë njoftuar vaksinime të detyrueshme kundër COVID-19 për punonjësit e tyre. Gjigandët e teknologjisë Facebook dhe Google, që kanë seli të mëdha në Teksas, kanë dhënë gjithashtu urdhra për vaksinim të detyruar për punonjësit e tyre.

Guvernatori Abbott, i cili u diagnostikua me COVID-19 në fillim të këtij viti, tha në urdhrin e tij se “vaksinat inkurajohen fuqimisht për ata që kanë të drejtë t’i marrin, por kjo gjithmonë duhet të varet nga vetë qytetarët.” Ai tha se do të inkurajojë legjislaturën e shtetit ta kthejë urdhrin e tij në ligj gjatë një sesioni të ardhshëm special.

Por Dr. Anthony Fauci, kreu i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, tha të hënën gjatë një interviste se “ne e dimë që urdhërat për ta bërë vaksinën të detyrueshme funksionojnë”.

Dr. Fauci tha se megjithëse zyrtarët shëndetësorë ngurrojnë të nxjerrin direktiva për vaksinim të detyruar, “nganjëherë urdhërat me të vërtetë mund të ndihmojnë në këtë drejtim.”/VOA

SHKARKO APP