Hamasi hedh poshtë marrëveshjen për armëpushim
Hamasi kundërshton propozimin për një armëpushim të përkohshëm për Rripin e Gazës. Lajmi bëhet i ditur nga AFP. Sipas drejtuesve të Hamasit, armëpushimi duhet të jetë i përhershëm dhe jo i përkohshëm.
“Ne kemi shprehur tashmë qëndrimin tonë për idenë e një armëpushimi të përkohshëm në luftë, nëse ajo nuk shërben për asnjë qëllim tjetër përveç rifillimit të agresionit në një kohë të mëvonshme. Hamasi mbështet nevojën për një përfundim të përhershëm dhe jo të përkohshëm të luftës”, tha Hamas në një deklaratë.
Edhe në negociatat e mëparshme, grupi militant kishte këmbëngulur gjithmonë në nevojën për një armëpushim të përhershëm dhe tërheqjen e ushtarëve izraelitë nga enklava palestineze.
Ndërkohë situata në Liban pritet të marrë një tjetër kthesë. Kryeministri i Libanit ishte optimist për një marrëveshje armëpushimi me Izraelin e cila sipas tij, do të shpallet brenda disa ditëve, citon Reuters. Sipas mediave ndërkombëtare, projekt-marrëveshja parashikonte një armëpushim fillestar 60-ditor.