Hapen plazhet e famshme në Brazil, qeveria refuzon të bëjë publike totalin e viktimave
Plazhet e famshme të Rio-de-Zhanejros në Brazil kanë nisur të frekuentohen me gjithë paralajmërimet e epidemiologëve se është herët për heqjen e masave të karantinës.
Qyteti bregdetar nga më të populluarit e Brazilit nisi javën e kaluar fazën e parë të daljes nga pandemia, duke lejuar qytetarët të shijojnë diellin, të shëtitin në lungomare, të rihapin disa nga bizneset dhe të praktikojnë sportet individuale të ujit.
Vendi latin numëron aktualisht më shumë se 700 mijë të infektuar me koronavirusin e ri, numër më i larti se çdo vend tjetër i botës, pas SHBA-së.
Disa qytetarë shprehen mosbesues me shifrat zyrtare:
“Nuk është ende koha ta heqim karantinën, me kurbën që rritet dhe që nuk e dimë a do ulet. Kemi një qeveri që i maskon numrat.”
“Mendoj se është absurde. Të gjitha shtetet tregojnë se ç’po ndodh ndërsa Brazili kërkon t’i fshehë gjërat. Ky është krim.”
Të hënën u rrit me gati 700 edhe numri i vdekjeve nga covid-19, duke e çuar mbi 37 mijë totalin e viktimave.
Por vërtetësia e këtyre numrave nxiti në fundjavë një debat të brendshëm politik dhe thirrjen nga OBSH-ja për më shumë transparencë.
Shkak u bënë mospërputhjet e mëdha me të dhënat e mbledhura nga rajonet e tjera.
Autoritetet e shëndetësisë dhe presidenti i vendit, Zhair Bolsonaro, njoftuan se nuk do e raportojnë më bilancin e përgjithshëm të vdekjeve dhe infeksioneve, por vetëm rastet e reja ditore.
Vendimi u tërhoq të hënën pas kritikave si brenda, edhe jashtë vendit.
“Qeveria e Brazilit duhet ta kuptojë çfarë po ndodh, se ku ndodhet virusi, se si administrojnë rreziqet. Duhet të jemi konsistentë me ndarjen e informacionit me ne, por ajo që është më e rëndësishme, me popullin, me njerëzit e vet,” deklaroi shefi i OBSH-së.
Në Amerikën Latine, Brazili konsiderohet epiqendra e pandemisë së koronavirusit, ndjekur nga Peruja me 200 mijë raste, Kili, Ekuadori dhe Kolumbia me rreth 40 mijë raste infeksioni.