Hetimet, zbulohet si nisi zjarri që i mori jetën 47 personave brenda lokalit në Zvicër
Autoritetet zvicerane kanë konfirmuar shkaqet e zjarrit tragjik që shpërtheu në një bar të një resorti skish, duke shkaktuar viktima dhe dhjetëra të lënduar. Sipas hetimeve paraprake, zjarri ka nisur nga fishekzjarre ose flakadanë të vendosur në shishe shampanje, të cilat janë afruar shumë pranë tavanit të lokalit.
Kryeprokurorja Beatrice Pilloud bëri të ditur për mediat se disa nga pistat kryesore të hetimit tashmë janë vërtetuar. “Në këtë fazë të hetimeve, gjithçka tregon se zjarri u shkaktua nga fishekzjarre apo flakadanë të vendosur në shishe shampanje. Ato u afruan tepër pranë tavanit dhe brenda pak çastesh shkaktuan një zjarr të fuqishëm,” deklaroi ajo.
Flakët u përhapën me shpejtësi të jashtëzakonshme, çka dyshohet se u favorizua nga materiali sintetik izolues që mbulonte tavanin e ulët të sallës. Kjo bëri që zjarri të dalë shpejt jashtë kontrollit, duke krijuar kushte tejet të rrezikshme për personat që ndodheshin brenda.
Në vendngjarje vijojnë të punojnë ekipet e mjekësisë ligjore, ndërsa autoritetet shëndetësore raportojnë se shumë të plagosur, mes tyre edhe të mitur deri në 15 vjeç, po trajtohen për djegie të rënda të shkallës së tretë. Zyrtarët kanë paralajmëruar se identifikimi i viktimave mund të zgjasë ditë apo edhe javë.
Ndërkohë, Prokuroria Federale ka nisur hetime të thelluara për të përcaktuar pse sistemet dhe daljet e sigurisë nuk kanë funksionuar siç duhet. Këtyre pyetjeve pritet t’u përgjigjet edhe çifti francez, pronarë të lokalit “Le Constellation”, të cilët janë përfshirë në hetimet për këtë tragjedi të rëndë.
KOHA JONË SONDAZH

