Hidhet në erë gazsjellësi ”Rrjedha e Jugut”? Orbán: Nëse ndodh, do të shpallim luftë
Kryeministri hungarez Viktor Orban, thotë se nëse hidhet në erë gazsjellësi “Rrjedha e Jugut” përmes të cilit gazi vjen nga Rusia përgjatë Turqisë, Bullgarisë, Serbisë dhe Hungarisë, atëherë vendi i tij do të shpallë luftë.
“Ne hungarezët e bëmë menjëherë të qartë se ekziston një tjetër gazsjellës jo ”Rrjedha e Veriut”, por ”Rrjedha e Jugut”, përmes të cilit gazi vjen nga Rusia përgjatë korridorit jugor-Turqia, Bullgaria, Serbia dhe Hungaria. Së bashku me Presidentin e Serbisë e kam bërë të qartë se nëse dikush dëshiron të bëjë të njëjtën gjë me korridorin jugor siç është bënë me atë verior, atëherë do ta konsiderojmë si shkak lufte, sulm terrorist dhe do të reagojmë menjëherë”,-tha Orban.
Orban nuk specifikoi se kujt i drejtohej paralajmërimi i tij për luftë, por tha vetëm se nuk bëhej fjalë për Rusinë. Viktor Orbán, iu referua edhe marrëdhënieve disi të ftohta me Shtetet e Bashkuara. Sipas tij edhe pse të dyja shtetet janë anëtarë të NATO-s, hungarezët sipas tij po trajtohen më keq sesa rusët.