Historia e 26-vjeçares: Një natë në klub, sot babai im po lufton me jetën
Martina, një 26-vjeçare italiane ka rrëfyer për “Corriere della Sera”, mankthin që ajo dhe familja e saj po përjetojnë nga koronavirusi.
E reja tregoi se u infektua pasi kaloi një mbrëmje në një diskotekë në Sardenjë.
“Menduam se asgjë nuk do të ndodhte për një natë në diskotekë, por ishte fillimi i një filmi horror që po përjetoj. Pasi unë rezultova pozitive, u testuan të gjithë anëtarët e familjes, ku vetëm nëna doli negative. Babai është në kujdes intensiv prej dy javësh. Unë nuk mund ta shoh atë, nuk mund ta ndihmoj, nuk mund të bëjë asgjë. Nuk do të jem në gjendje t’ia fal kurrë vetes këtë që kam bërë”, u shpreh ajo.
Sipas OBSH, të rinjtë po rezultojnë ata që e përhapin në masën më të madhe virusin. Zyrtarët e OBSH-së kanë thënë këtë muaj se shifrat e të rinjve të infektuar janë rritur në nivel global, duke rrezikuar kategoritë e ndjeshme të shoqërisë në gjithë botën, duke përfshirë të moshuarit dhe të sëmurët kronikë.