Historia e një krimi që ndryshoi përgjithmonë botën
27 janari i këtij viti shënoi 76-vjetorin e tragjedisë së Holokaustit. Në vitin 2002, Kombet e Bashkuara e shpallën këtë datë, si Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës së Holokaustit, në nder të miliona viktimave të gjenocidit të Gjermanisë Naziste, krime që u kryen gjatë Luftës së Dytë Botërore. Rreth gjashtë milionë njerëz u vranë, në përpjekjen sistematike naziste për të shfarosjen e hebrenjve. Hebrenj nga e gjithë Gjermania dhe vendet europiane të pushtuara prej saj, u grumbulluan në kampe përqendrimi, ku u helmuan me gaz, u qëlluan, u lanë të vdisnin urie.
Në kampin Aushvic humbën jetën më shumë se një milion njerëz, të vrarë në dhomën e gazit, të rraskapitur nga kushtet e pamundura të punës, ekzekutimet e shumta, rrahjet dhe torturat nga agjentët. Viktimat ishin kryesisht hebrenj, rusë, polakë dhe rom. Kampet e vdekjes apo siç kujtohen sot, vendet e terrorit u çliruan më 27 janar 1945, në të cilat u gjetën ende gjallë 7 mijë të burgosur.
Në vitin 1933, Partia Kombëtare Socialiste e Punës mori pushtetin në Gjermani, me diktatorin Adolf Hitlerin si lider i saj. Nazistët kishin pasur edhe më herët mbështetje të fortë në Nuremberg dhe për arsye politike dhe më shumë praktike, zgjodhën këtë qytet për të mbajtur edhe fushatat e tyre mes viteve 1933-1938. Në shtator të 1935, ligji i Nurembergut, që shtypte të drejtat civile të hebrenjve kaloi. Një vit më vonë, në 36-ën, anëtarët e vjetër të Partisë Naziste, përfshirë këtu edhe Hitlerin dhe Rudolf Hess, që më pas u bë komandanti më jetëgjatë i kampit të përqendrimit të Aushvicit, mbërritën në Nuremberg për të parë qytetin e për të organizuar një takim atje si dhe për të zbarkuar trupat ushtarake, që mbajtën edhe një marshim gjatë Kongresit vjetor të Partisë Naziste.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, forcat pushtuese gjermane ngritën kampin Aushvic-Birkenau në jug të qytetit polak të Osviecim, rreth 70 km nga qyteti i dytë më i madh i Polonisë, Krakov. Aushvic u ngrit në maj të 1940 në ish kazermat e vjetra ushtarake të Polonisë. Viktima e parë në këtë kamp u regjistrua në shtator të 1941-shit, pasi vdiq në një nga dhomat e gazit. Aushvic II apo Birkenau u hap në tetor të vitit 1941. 4 dhoma të mëdha gazi iu shtuan kampit për 3 muaj, gjer në janar të vitit 1942.
Mes viteve 1940-1945, Aushvic u shndërrua në një kamp të mirëfilltë vdekjeje, me një kompleks kazermash, fabrikash, dhoma gazi e krematoriume, ku humbën jetën thuajse 1.5 milionë njerëz, shumica prej tyre hebrenj. Grupi më i madh i viktimave, gati 75 mijë vetë, ishin polakë. Prej tyre, gati 20 mijë ishin romë. Në fund të vitit 1941, nazistët formuluan “Zgjidhjen finale”. Vendimi për të vrarë e ekzekutuar 11 milionë hebrenj u morr gjatë Konferencës “Wannsee”, që u mbajt pranë Berlinit në janar të vitit 1942, ku zyrtarët më të lartë nazistë koordinuan lëvizjet, për atë që do të shndërrohej në makinerinë më të ashpër të vrasjeve masive në histori.
Nazistët dizajnuan dhe përmirësuan mekanizmin e ri të vrasjes së njerëzve. Të burgosurit u vranë me gaz, në dhomat e ndërtuara enkas për këtë qëllim e të pajisura me gaz-vdekjeprurës Zyklon B. Radha për të bërë dush ishte justifikimi më i zakontë për ti marrë të burgosurit nga dhomat ku qëndronin në kamp e për ti futur më pas në dhomat e gazit. Tonelata me flokë të prera nga kokat e të burgosurve dhe rrobat e çizmet e tyre, u gjetën më vonë, pasi kampi u çlirua.
Aushvic u lirua më 27 janar të vitit 1945 nga ushtria sovjetike, ushtarët e së cilës arritën të shpëtojnë e të nxjerrin të gjallë nga kampi famëkeq 7 mijë të burgosur, pasi gjermanët u tërhoqën. Kampet u shndërruan në simbolikën e holokaustit, me thuajse 1,5 milionë të burgosur që humbën jetën në dhomat e gazit, në temperature disa gradë nën zero, nga uria, sëmundje të ndryshme, eksperimente të ndryshme mjekësore dhe nga puna e sforcuar, e rëndë dhe me orë të gjata.
Sot, 76 vite më vonë, ajo çka mbetet është thjesht përkujtimi, rikthimi në kohë për të mësuar të vërtetat e asaj çka ndodhë, përmes historive njerëzore, edhe të atyre që i mbijetuan kampit. Sot ai është shndërruar në një muze, i frikshëm për nga ndjenja që përcjell, edhe pse më shumë se 2 milionë njerëz e vizitojnë atë çdo vit. Vizita atje nuk është një mësim për historinë por një moment reflektimi mbi përgjegjësinë. /A2cnn/