Historiani gjerman: Me Trump, shekulli amerikan duket se mori fund përgjithmonë
“Një fjalim inaugurues aq dëshpërues të një presidenti amerikan bota nuk e ka përjetuar kurrë. Shekulli amerikan më 20 janar 2017 mbase mori fund përgjithmonë”, thotë historiani gjerman Heinrich August Winkler.
Heinrich August Winkler është njëri prej historianëve më të rëndësishëm europianë. Gjermani 78-vjeçar, profesor shumëvjeçar në Universitetin Humboldt të Berlinit, është autor i vepre të jashtëzakonshme: “Historia e Perëndimit” në katër vëllime.
Ai po ashtu ka shkruar librin mbase më të rëndësishëm mbi historinë gjermane “Rruga e gjatë drejt Perëndimit”. Në një intervistë dhënë gazetës zvicerane “Blick”, Winkler ka folur për gjendjen e Perëndimit pas inaugurimit të Donald Trumpit si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Winkler ka goditur sidomos fjalimin e parë të Trumpit si president i SHBA-ve. “Fjalimi ishte një manifest frikësues i egocentrizmit nacional, i proteksionizmit ekonomik, demagogjisë sociale dhe mendimit të ekzagjeruar për vetveten.
Asnjë fjalë për pajtimin e brendshëm të vendit të tij të përçarë thellë, për përgjegjësinë e SHBA-ve ndaj politikës botërore, për solidaritetin me aleatët dhe miqtë e lirisë në mbarë botën, për të drejtat e njeriut, në frymën e të cilave janë themeluar Shtetet e Bashkuara më 1776. Një fjalim inaugurues aq dëshpërues të një presidenti amerikan bota nuk e ka përjetuar kurrë. Shekulli amerikan më 20 janar 2017 mbase mori fund përgjithmonë”, shprehet ai.
Winkler tha se nëse Amerika i kthen shpinën vlerave të përbashkëta transatlantike, gjë që duket e mundshme nga Trumpi, atëherë kjo do të ishte një kthesë e madhe historike. Historiani gjerman është skeptik që Gjermania mund të luajë rolin e shtetit që mbron vlerat perëndimore.
“Do të ishte një akt i çmendurisë gjermane nëse vendit tonë do t’i jepej roli i zëvendës-Amerikës. SHBA-të janë të pazëvendësueshme”, thotë ai.
Winkler tha se është e mundshme që Trump të shkarkohet, nëse atë e mbulojnë skandalet e së kaluarës dhe proceset gjyqësore të papërfunduara. Duke folur për emigracionin botëror, Winkler nënvizoi se Merkel nuk ka gabuar kur ka vendosur t’i pranojë refugjatët që mbetën në Hungari në verën e vitit 2015, por ai tha se asnjë demokraci perëndimore nuk mund t’i zgjidhë në territorin e vet problemet e botës së tretë. Winkler është i bindur se e ardhmja e Bashkimit Europian varet nga rezultati i zgjedhjeve të sivjetshme presidenciale në Francë.
KOHA JONË SONDAZH

