Hungaria dhe Polonia bllokojnë me veto buxhetin e BE-së për pandeminë e Covid-19
Miratimi i nevojshëm për lëvrimin e ndihmave miliardëshe të BE për Coronan u bllokua. Të hënën (16.11), në shenjë proteste kundër një procedure të re të BE për ndëshkimin e shkeljeve në sundimin e ligjit, Hungaria dhe Polonia penguan që procesi i vendimmarrjes politike të vazhdojë siç ishte planifikuar, i konfirmuan disa diplomatë agjencisë gjermane të lajmeve dpa.
Ndihmat e rindërtimit dhe buxheti i BE u bllokuan
I prekur nga vetoja, përveç ndihmës së planifikuar të rindërtimit për Coronën, deri në 750 miliardë euro, është edhe buxheti afatgjatë i BE. Për shtatë vitet e ardhshme ai përfshin fonde që arrijnë në gati 1.1 bilion euro dhe financon, për shembull, grante për bujqësinë dhe programe kërkimore.
BE hyn kështu edhe një herë në një krizë serioze politike, në mes të krizës së Coronas. Sipas diplomatëve, kancelarja gjermane Angela Merkel, Presidenti i Këshillit të BE, Charles Michel dhe Presidentja e Komisionit të BE, Ursula von der Leyen tani duhet të diskutojnë se si të veprohet. Mosmarrëveshja ndoshta do të bëhet objekt i një video-konference të krerëve të shteteve dhe qeverive e planifikuar për të enjten. Ishte planifikuar, në të vërtetë, që në këtë konferencë të diskutohej për një bashkëpunim më të mirë kundër pandemisë së Coronas.
Nga viti 2021 ndoshta vetëm buxhet emergjence
Po të mos miratohet paketa financiare, BE do të ketë vetëm një buxhet emergjent duke nisur nga viti i ardhshëm. Përveç kësaj, nuk mund të livrohen ndihmat për Coronan, me të cilat synohet të shpëtohen vende si Italia dhe Spanja nga kolapsi ekonomik.
Shpërndarja e fondeve të para qe planifikuar të bëhej gjatë tremujorit të dytë të vitit 2021. Për këtë nevojitet edhe një proces i ndërlikuar ratifikimi, përveç nevojës për të avancuar në vendimet e bllokuara të hënën (16.11.). Sipas informacionit nga Komisioni Evropian, me çështjen e ratifikimit duhet të merren parlamentet kombëtare në pothuajse të gjitha vendet e BE.
Mosmarrëveshja mbi mekanizmin e sundimit të ligjit
Procedura për mbrojtjen e sundimit të ligjit, e kritikuar nga Hungaria dhe Polonia, parashikon shkurtimin e fondeve të BE në të ardhmen, në rast të shkeljeve të caktuara të vlerave bazë të BE. Ky instrument vërtet duhet të përdoret vetëm kur ekziston rreziku i keqpërdorimit të fondeve të BE. Megjithatë, kjo mund të ndodhë edhe kur mungesa e pavarësisë nga gjykatat ngre shqetësime të justifikuara se vendimet mbi shpërndarjen e fondeve të BE nuk mund të kontrollohen më në mënyrë të pavarur. Qeveritë e Hungarisë dhe Polonisë janë akuzuar vazhdimisht për zgjerimin e ndikimit të tyre në pushtetin gjyqësor.DW