Hungaria kundërshton deklaratën e BE për konfliktin më Gaza: Është e njëanshme
Hungaria ka refuzuar të mbështesë deklaratën e Bashkimit Europian që bën thirrje për armëpushim midis Izraelit dhe palestinezëve.
Ministri i Jashtëm i Hungarisë Peter Szijjarto hodhi poshtë deklaratën e BE mbi Izraelin, duke e cilësuar si të njëanshme.
“Unë kam një problem të përgjithshëm me këto deklarata evropiane mbi Izraelin. Këto deklarata nuk ndihmojnë, sidomos jo në rrethanat aktuale, kur tensioni është kaq i lartë,” i tha Szijjarto agjencisë së lajmeve AFP.
Komentet e tij erdhën pasi shefi i politikës së jashtme të BE, Josep Borrell, bëri thirrje për “ndërprerje të menjëhershme të të gjithë dhunës dhe zbatimin e një armëpushimi”. Borrell tha se deklarata ishte mbështetur nga të gjitha vendet anëtare të BE përveç Hungarisë.
Në vitet e fundit Hungaria ka qenë një nga mbështetësit më të fortë të Izraelit në Evropë. Ajo ka bllokuar disa përpjekje të BE për të kritikuar politikat izraelite, të tilla si lëvizja e SHBA për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. g.v/abcnews.al