Hungaria regjistron rekord viktimash nga Covid-19

Hungaria raportoi të martën për rekord viktimash nga koronavirusi, gjë që detyroi kryeministrin Viktor Orban të shtyjë rihapjen e ekonomisë. Sipas ueb-faqes “Bota jonë në të dhëna” (Our World in Data), Hungaria e ka tejkaluar Republikën Çeke si vendi me shkallën më të lartë të vdekshmërisë për kokë banori, në shtatë ditët e kaluara.

Këtë të martë u raportua për 252 viktima, shifrën më të lartë ditore që nga fillimi i pandemisë, pranverën e kaluar. ”Lidhur me datën e rihapjes [së ekonomisë], mund të themi se para se të gjithë njerëzit mbi 65-vjeç të mos vaksinohen, ne nuk mund të rihapemi, sepse kjo do të krijonte telashe”, tha Orban në një video-mesazh të postuar në facebook.

Orban ka planifikuar të rihapë ekonominë në faza, nisur nga fundi i këtij muaji. Izolimi i pjesshëm ka hyrë në fuqi qysh në nëntor dhe më pas është zgjeruar me mbylljen e shkollave dhe kopshteve. Të hënën, Dhoma Mjekësore e Hungarisë u bëri thirrje njerëzve që t’i kufizojnë blerjet në një herë në javë, nëse është e mundur të shmangin transportin publik dhe të shtyjnë çdo udhëtim jothelbësor.

Hungaria, vend me 9.7 milionë banorë, ka regjistruar mbi 586,000 raste me Covid-19 dhe mbi 18,000 viktima. Hungaria është bërë vendi i parë i BE-së që ka blerë dhe po përdor vaksina kineze ose ruse kundër virusit, pasi dërgesat nga furnizuesit perëndimorë janë vonuar./REL/

SHKARKO APP