Hyn në fuqi certifikata shëndetësore, francezët nisin protestat
“Jo certifikatës së turpit”, apo “Liri për të zgjedhur”. Këto ishin disa prej sloganeve që thërrisnin qindra protestuesit në Paris, kundër implementimit të certifikatës shëndetësore dhe vaksinimit të detyrueshëm, ndërsa qeveria franceze përpiqet të frenojë valën e 4 të infektimeve në vend.
Nga 21 korriku, atyre që duan të vizitojnë muzetë, kinematë apo pishinat në Francë do t’u mohohet hyrja nëse nuk tregojnë një dokument që vërteton se janë vaksinuar kundër Covid-19 apo një test negativ. Në Asamblenë Kombëtare, ligjvënësit debatuan mbi zgjerimin e certifikatës edhe përqasjen në kafene apo restorante.
Projektligji i debatuar në parlament, formalizoi planin e ri të qeverisë që përfshin vaksinim të detyrueshëm për punonjësit e shëndetësisë.
“Le të më pushojnë nga puna, nuk më intereson. Ne nuk duam të vaksinohemi”, thotë një punonjëse e kujdesit shëndetësor në protestë.
Certifikata shëndetësore, e cila fillimisht kërkohej vetëm për aktivitete me grumbullime masive, nga fillimi i gushtit do të jetë e nevojshme për të hyrë në restorante dhe bare e për udhëtime të gjata me tren dhe avionë.
Franca po bën çdo përpjekje për të inkurajuar vaksinimin mes përhapjes së shpejtë të variantit Delta. Gati 11 mijë raste u regjistruan në 24 orët e fundit.