I dërgoi sms të dyshimta adoleshentit, jep dorëheqjen sekretari i Financave në Skoci
Një skandal ka përfshirë qeverinë në Skoci, ku sekretari i financave Derek Mackay, ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme pas publikimit në media të disa mesazheve me natyrë të dyshimtë që ai kishte shkëmbyer me një djalë 16-vjeçar.
Mackay, një nga figurat më të spikatura të partisë, që konsiderohej gjerësisht si një pretendent për të zëvendësuar përfundimisht Sturgeon, si drejtues të SNP, është është pezulluar edhe si anëtar i partisë Kombëtare Skoceze.
Ishte gazeta “The Sun” që publikoi qindra mesazhe që Mackay, 42 vjeç, i kishte dërguar të riut, duke e quajtur atë “të lezetshëm”, dhe madje duke folur për flokët e djalit, dhe duke e ftuar atë në darkë, si dhe në një ngjarje parlamentare si mysafirin e tij.
“Unë mbaj përgjegjësi të plotë për veprimet e mia. Sjellja ime është një marrëzi dhe me të vërtetë më vjen keq. I kërkoj falje pa rezervë djalit të përfshirë në këtë histori dhe familjes së tij.” Shprehej në një deklaratë Mackay.
Mackay, I cili zbuloi se ishte gay pasi martesa e tij mbaroi në 2013, u miqësua të riun në Facebook dhe Instagram dhe i dërgoi mesazhe të padëshiruara.
Pas lajmit reagoi edhe Sturgeon, e cila në një deklaratë emergjente, tha se sjellja e tij ishte e papranueshme dhe tejet e rëndë. Mackay, pritej të dorëzonte projekt-buxhetin e qeverisë skoceze për vitin 2020-21 të enjten, por në vend të tij, do të jetë Kate Forbes, që do të bëjë prezantimin.