I shpëtojnë bombardimeve por po jetojnë në kushte çnjerëzore
Sirianët e detyruar të lënë shtëpitë e tyre për shkak të sulmeve të qeverisë së Bashar al-Assad në rajonin e Idlib, thonë se po jetojnë në kushte të tmerrshme, pasi tensionet në pjesën veriore të vendit, vijojnë të rriten. Kombet e Bashkuara paralajmëruan se luftimet në veriperëndim të Sirisë mund të “përfundonin në një gjakderdhje” dhe përsëritën thirrjet për armëpushim.
Familjet po flenë jashtë në rrugë dhe nëpër ullishta, ndërsa për t’u ngrohur djegin mbeturina. Disa fëmijë kanë humbur jetën nga i ftohti, ndërsa disa të tjerë të paktën kanë arritur të strehohen në kampe me tenda.
“Ata na vendosën këtu në këtë magazinë. Nuk jam e sigurt se çfarë është kjo. Të gjithë po qëndrojmë këtu, të gjithë njerëzit për të cilët ju fola më parë, fëmijët dhe nipërit e mi, vajzat e mia dhe fëmijët e tyre. Gjithçka që duam është që Zoti t’i lehtësojë gjërat për ne, që të kemi disa dhoma ku ne mund të jetojmë. Ne po mbajmë ujë në kova për të kryer nevojat tona personale. Tani jemi këtu , në dorë të Zotit”, thotë Suad Saleh, banore e Alepos
Trupat siriane të mbështetur nga fuqia ajrore ruse kanë luftuar që nga dhjetori për të eliminuar fortesat e fundit të rebelëve në rajon, në një luftë që ka vrarë rreth 400 mijë sirianë, shpërngulur miliona dhe e ka kthyer pjesën më të madhe të vendit në gërmadha. Ofensiva e fundit në rajonet veriperëndimore të Alepos dhe Idlib ka shpërngulur gati 1 milion njerëz, shumica prej tyre gra e fëmijë, të cilët u larguan nga përleshjet për në zona më të sigurta në Veri, pranë kufirit turk.
Turqia, e cila aktualisht pret 3.7 milionë refugjatë sirianë, ka thënë se nuk mund të përballojë një fluks të ri dhe ka paralajmëruar se do të përdorë fuqinë ushtarake për të zmbrapsur përparimet siriane në Idlib dhe për të lehtësuar një krizë humanitare në rajon.