I vetmi vend në Europë pa koronavirus është afër Shqipërisë
Europa është pothuajse e gjitha e prekur nga koronavirusi, Mali i Zi nuk është prekur. Qytetarët thonë se mospërhapja e virusit shkatërrues edhe në vendin e tyre tregon qartë vendosmërinë e vendasve për t’iu bindur masave paraprake, pavarësisht rritjes së panikut dhe shqetësimit në vend. Qytetarët malazezë kanë ditë që janë kujdesur të vënë maska mbrojtëse dhe të blejnë ushqime për konsum, në rast të ndonjë izolimi si pjesa tjetër e Europës.
Edhe në Mal të Zi janë realizuar teste por deri më tani, asnjë qytetar nuk ka rezultuar pozitiv, duke e treguar veten lider të rajonit. Prej 2 javësh, autoritetet kanë ndalur çdo tubim apo aktivitet social-kulturor, duke mbyllur shkollat dhe kufijtë me fqinjët, në përpjekje për të mos lejuar përhapjen e sëmundjes.
Italia është më e prekura, ku vetëm ditën e sotme u regjistruan 250 viktima, duke e çuar numrin në 1266. Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli se Europa është tashmë epiqendra e pandemisë së koronavirusit, ndërsa gjithnjë e më shumë vende po shpallim gjendjen e jashtëzakonshme.
“Po raportohen më shumë raste tani në Europë sesa kur ishte kulmi i epidemisë në Kinë” , tha drejtori i përgjithshëm, Tedros Adhanom Ghebreyesus. Ai tha se deri tani kanë vdekur 5 mijë persona duke e cilësuar si një “moment tragjik” teksa i bëri thirrje qeverive që të implementojnë masat për mbajtjen e popullsisë në distancë në mënyrë që të frenohet përhapja.