Ilaçe vdekjeprurëse për pacientët me Covid, sms-ja e mjekut: Lironi shtretërit
Në këtë kohë të pandemisë së Covid-19, një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në një spital në Brescia të Italisë, ku shefi i urgjencës është akuzuar se ka injektuar barna me efekt vdekjeprurës ndaj pacientëve të prekur nga virusi me qëllimin që të lironin krevatet. ”Lironi shtretër për pacientët e tjerë”, është një prej mesazheve të Whatsapp të shefit Carlo Mosca me një infermiere dhe një tjetër koleg.
Carlo Mosca ishte shefi i përkohshëm i Departamentit të Emergjencave të Montichiari (Brescia), i cili ndodhet në “arrest shtëpie”. Ai akuzohet se shkaktoi vdekjen e dy pacientëve, njëri i moshës 61 vjeç dhe tjetri 80-vjeç.
Hetimet bënë të mundur analizimin e të dhënave mjekësore të pacientëve të shumtë që humbën jetën në atë periudhë nga Covid-19, duke gjetur në disa raste një përkeqësim të papritur dhe të pashpjegueshëm të gjendjes shëndetësore. Tre trupa u zhvarrosën që t’i nënshtroheshin autopsisë dhe hetimeve toksikologjike.
Akuzat ndaj sjelljes së mjekut bazohen në injektimin e dy ilaçeve, të cilat shkaktojnë depresion dhe probleme me frymëmarrjen. Hetimet zbuluan praninë e ilaçeve që përdoren zakonisht në procedurat e intubimit dhe qetësimit, substanca që nëse përdoren jashtë procedurave dhe dozave specifike, mund të shkaktojnë vdekjen e pacientit.