Imazhe të Trump mes dokumenteve të hequra nga publikimi i fundit i dosjeve Epstein
Imazhe të Donald Trump janë mes të paktën 16 dokumenteve që janë hequr nga dosjet e Jeffrey Epstein, të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë (DOJ). Komiteti Mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve, i udhëhequr nga Demokratët, tërhoqi vëmendjen për heqjen e dukshme të një imazhi që tregonte dy fotografi të printuara të zotit Trump në një sirtar. Njëra prej tyre shfaqte Trumpin të rrethuar nga gra me kostume banje, ndërsa tjetra dukej të ishte një foto tashmë e njohur – pjesërisht e mbuluar – e tij, bashkëshortes Melania, Ghislaine Maxwell dhe Jeffrey Epstein. Sky News konfirmoi mungesën e imazhit pasi e kishte shkarkuar fillimisht. Fotot e tjera të hequra ishin pothuajse të gjitha piktura nudo të grave nga shtëpia e Epstein. Zoti Trump nuk ka komentuar dhe nuk është akuzuar për ndonjë shkelje në lidhje me çështjen Epstein.
Mijëra dokumente lidhur me financuesin pedofil të vdekur u bënë publike nga DOJ të premten, orë para një afati ligjor. Shumë faqe ishin pjesërisht ose plotësisht të redaktuara, gjë që DOJ thotë se bëhet për të mbrojtur mbi 1200 viktimat dhe familjet e tyre. Megjithatë, viktima të Epstein, ekspertë ligjorë dhe anëtarë të publikut kanë vënë në dyshim nëse ky është i vetmi shkak, ndërsa Demokratët e Mbikëqyrjes e kanë quajtur “një fshehje nga Shtëpia e Bardhë”. Ashley Rubright, një viktimë, shprehu dyshime se redaktimet e plota shërbejnë vetëm për mbrojtjen e identitetit të viktimave.
Avokatja Gloria Allred, e cila ka përfaqësuar disa viktima, deklaroi se emra dhe imazhe komprometuese të të mbijetuarve, disa prej të cilave nudo, ishin lënë të pa-redaktuara, duke shkaktuar trauma të mëtejshme. Ajo theksoi se ligji kërkon qartë redaktimin e informacionit identifikues të viktimave. Jay Clayton, avokati i SHBA-së për Distriktin Jugor të Nju Jorkut, pranoi mundësinë e gabimeve njerëzore ose makinerike në procesin e rishikimit. Ai shtoi se DOJ kishte zgjedhur të redaktonte fytyrat e grave në fotografi me Epstein, edhe kur jo të gjitha njiheshin si viktima, për shkak të vështirësisë për të identifikuar çdo person. Kjo metodologji ka çuar në konfuzion dhe spekulime. Shumë figura publike shfaqen me Epstein në foto pa kontekst, por nuk ka asnjë sugjerim për veprime të gabuara. Kritikët, përfshirë Allred, e kanë cilësuar publikimin e pjesshëm si shkelje të ligjit dhe një “shqetësim”, duke kërkuar të vërtetën dhe transparencën e plotë.
KOHA JONË SONDAZH

