‘‘Impeachment’’, Trump sulmon ashpër demokratët
Presidenti amerikan nuk po e fsheh dot zemërimin kundër demokratëve, pasi këta të fundit u kërkuan zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë të dorëzojnë dokumentet lidhur me bisedën telefonike Trump-Zelenski.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë ashpërsoi tonet të mërkurën duke akuzuar liderët demokratë për pandershmëri dhe tradhti. Në shënjestër të sulmit ishte kryesisht kryetari i komisionit të inteligjencës në dhomën e përfaqësueseve, Adam Schiff.
“Informatori ka qenë shumë i pasaktë. Ai nisi gjithçka duke shkruar një raport për një bisedë perfekte. Asgjë të keqe nuk ka aty, nëse nuk dëgjon variantin e sajuar të Adam Schiff. Praktikisht ai e ka fabrikuar dhe ky është një akt kriminal, tradhtar. Ai është një i mjerë që duhet të dorëhiqet”, deklaroi presidenti.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk i kurseu akuzat edhe ndaj rivalit Joe Biden dhe djalit të tij Hunter. ”Biden dhe djali i tij janë super të korruptuar. Djali i tij ka përfituar miliona dollarë”, sulmoi Trump.
Trump përsëriti kërkesën për zbulimin e identitetit të njeriut që nxori në dritë skandalin me Ukrainën, duke thënë se vetëm informatorët e ligjshëm duhet të mbrohen e jo spiunët. Tone të ashpra, presidenti përdori edhe kundër gazetarëve që i drejtuan pyetje të papërshtatshme sipas tij, ndërsa më herët në Twiter akuzoi Adam Schiff dhe kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve “për gjepura”.