Industria godet ekonominë gjermane – Stanjacioni, rezultati më i mirë për tremujorin e dytë
Prodhimi industrial në Gjermani, ra më shumë se ç’pritej në Qershor, kryesisht prej rënies së mallrave të ndërmjetëm dhe atyre kapitale, ç’ka rriti shqetësimet se ekonomia më e madhe e Europës është tkurrur në tremujorin e dytë.
Prodhimi industrial ra me 1.5% gjatë muajit, që është një normë shumë më e dobët se tkurrja me 0.4% që prisnin analistët. Kriza në sektorin e manifakturës në Gjermani pritet të vazhdojë për shkak të rritjes së tensioneve tregtare mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.
Të dy vendet janë destinacione të rëndësishme të eksporteve për kompanitë gjermane. Në të gjithë tremujorin e dytë, prodhimi industrial ra me 1.8%, kryesisht prej rënies së madhe të prodhimit të metaleve, makinerive dhe automjeteve, sipas Ministrisë së Ekonomisë.
“Industria vazhdon trendin negativ”, deklaroi Ministria. Prodhimi në ndërtim ra me 1.1% në tremujorin e dytë, ndërsa prodhimi i energjisë humbi 5.9%. Sipas analistëve, të dhënat për industrinë mbështesin pritshmëritë se Produkti i Brendshëm Bruto është tkurrur lehtë në tremujorin e dytë. Stanjacioni është rezultati më i mirë për ekonominë gjermane. Qeveria pret një rritje me 0.5% këtë vit dhe një rimëkëmbje prej 1.5% në 2020-ën.